Kuota për nxënësit migrantë në shkollat gjermane?

- Bota Sot

Kuota për nxënësit migrantë në shkollat gjermane?

Kur Sabine Schwarz (emri i ndryshuar nga redaksia) mësoi për idenë e Ministres së Arsimit nëpërmjet mesazhit në WhatsApp të një mikeshe, fillimisht mendoi se kjo ishte një shaka pa kripë. Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien e CDU ishte e mendimit, se një kuotë migrimi në shkollat ​​gjermane ishte një "model i imagjinueshëm", por do të duheshin parë edhe vende të tjera "për të parë nëse në fund kjo do të ishte 30 apo 40 përqind". Sabinen e prek kjo temë, ajo është drejtoreshë e një shkolle fillore në landin Renani Veriore-Vestfali me pothuajse 350 nxënës, më shumë se 80 përqind e të cilëve vijnë nga familje emigrantësh. 

Propozimi i Prien nuk do të funksiononte në realitet në Gjermani,  sipas saj: "Mendoj se ajo nuk ka menduar për politikën e strehimit apo qëndrimet e njerëzve, dhe as nuk e ka idenë se si duket situata në të vërtetë në disa lagje. Sepse atëherë njerëzit do të duhej të zhvendoseshin në lagjen tonë, të paktën nëse donin të shkonin në shkollën afër vendit ku jetojnë. Ne as nuk kemi përqindjen e njerëzve këtu që do të përshkruheshin si gjermanishtfolës ose gjermanë", shprehet Schwarz.

Numri i migrantëve kriter i prindërve në zgjedhjen e shkollës

Në zonën e shkollës së saj fillore numri i migrantëve është 60 përqind. Gjermanët që jetojnë me shtëpi pranë shkollës së saj preferojnë ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera, thotë Schwarz, gjë që është e trishtueshme. Kur bëhet fjalë për arsimin, gjermanët preferojnë të qëndrojnë mes tyre: Pothuajse 20 vjet më parë, landi Renani Veriore-Vestfali hoqi detyrimin për të dërguar fëmijët në një shkollë afër banimit, madje edhe për shkollën ​​fillore vlen parimi i zgjedhjes së lirë. Rezultati: Familjet gjermane me pretendime për arsimin i shmangin shkollat ​​si ajo e Schwarz - nga frika se një përqindje e lartë e emigrantëve mund të ndikojë negativisht në suksesin shkollor të fëmijëve të tyre.

"Ajo që dëgjon gjithmonë është se migrimi barazohet me një nivel më të ulët arsimimi dhe se fëmijët mësojnë gjithashtu më ngadalë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Për shembull, ne përfituam nga vala e refugjatëve në vitin 2015 sepse kishim shumë fëmijë që ishin shumë të interesuar për një arsim të mirë." Schwarz kritikon faktin që të gjithë fëmijët paragjykohen njësoj.

Kur vjen puna tek arsimi ekspertët, mësuesit, prindërit e nxënësit janë të mendimit, se duhet reformim. Gjermania del shumë dobët në shumë kategori kur bëhen vlerësime ndërkombëtare: Në studimin e fundit të PISA-s në vitin 2022, Gjermania u rendit vetëm nga mesi në krahasimin ndërkombëtar. Aftësia e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë ra në nivelet më të ulëta të matura ndonjëherë.

Miratim për iniciativën e Prien

Por ka edhe mjaft njerëz që mund ta kuptojnë qasjen e Prien. Një argument: edhe fëmijët ukrainas u shpërndanë në mënyrë sa më të barabartë midis shkollave pas mbërritjes së tyre. Studiuesi i njohur gjerman i arsimit, Klaus Hurrelmann i shkruan DW: "Propozimi i ministres është i kuptueshëm, sepse një përbërje e diversifikuar mirë e klasave shkollore dhe grupeve mësimore bazuar në prejardhjen çon qartë në punë më të mirë." Megjithatë, ideja është e vështirë për tu zbatuar në praktikë, sepse kërkon që nxënësit të identifikohen me origjinën, por shumë prindër dhe nxënës e perceptojnë këtë si diskriminues. "Keqkuptimet dhe ndjesia e diskriminimit që vijnë si pasojë e kësaj nuk i barazpeshojnë përfitimet e mundshme. Qasje më të mira do të ishin mbështetja e shkollave me një përqindje shumë të lartë fëmijësh dhe të rinjsh me vështirësi gjuhësore."

Këtë e kërkon Stefan Düll, president i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë. Në këtë kontekst, Düll vlerëson programin e Mundësive tër Reja të qeverive të landeve dhe federatës. Programi parashikon ndarjen e 20 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme për 4,000 shkolla me probleme. Düll e mirëpret debatin e iniciuar nga Prien. Megjithëse dyshon. Propozimi i saj do të dështojë për shkak të zbatimit dhe do ta zhvendosë problemin: Prindërit gjermanë do ti dërgonin fëmijët e tyre në shkolla private. Shoqata e Mësuesve Gjermanë prononcohet për DW e thekson, se  "shoqata e Mësuesve Gjermanë ka theksuar prej vitesh se mësimdhënia është dukshëm më e vështirë kur shumë nxënës nuk kanë aftësi të mjaftueshme në gjuhën gjermane.  Megjithatë, sipas mendimit tonë, është pak e dobishme të rishpërndahen nxënësit thjesht për të arritur një kuotë të caktuar në klasa individuale. Kjo vështirë të realizohet nga një perspektivë organizative dhe nuk nxit kohezionin social brenda një komuniteti shkollor."/DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot