Pak orë para finales së Kupës së Botës për Klube, ku Chelsea përballet me PSG-në në New Jersey, mesfushori anësor i londinezëve Pedro Neto ka shpërndarë një mesazh prekës, duke treguar se këtë ndeshje do ta luajë në nder të mikut dhe bashkëkombësit të tij, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik, së bashku me vëllain e tij Andre Silva, dy javë më parë.
“Kur të dal në fushë të dielën, dua që të gjithë ta dinë se dua ta fitoj këtë garë për Diogo Jotën.
Ai do të jetë gjithmonë me mua. Gjithmonë do të kujtohet. Mendimet e mia janë ende me të, me vëllain e tij Andre Silvën dhe me familjet e tyre. Është një moment shumë i vështirë”, ka thënë Neto.
Neto rrëfen se e kishte njohur Jotën që në kohën kur erdhi për herë të parë në Angli, teksa të dy ishin pjesë e Wolves.
“Diogo më ra menjëherë në sy kur erdha në Angli. Isha shumë i ri dhe sapo kisha mbërritur në një vend të huaj. Ai ishte një nga lojtarët kyç të Wolves, por më ndihmoi shumë mua dhe familjen time. Mësova shumë prej tij, si për jetën ashtu edhe për futbollin”, theksoi ai.
Neto shtoi se kishin formuar një grup të fortë me lojtarët portugezë të skuadrës si Ruben Neves, Joao Moutinho, Ruben Vinagre dhe Rui Patricio.
“Ishim shumë të lidhur dhe kalonim shumë kohë bashkë jashtë fushës. Edhe tani jemi ende në kontakt dhe këta djem, bashkë me kujtimet që kam me ta, do të më shoqërojnë gjithë jetën. Prandaj është kaq e vështirë të jem tani pa Diogon”, pohoi ai.