Ukraina përgatit nxënësit për luftë, ata do të mësojnë të fluturojnë dronë luftarakë

- Bota Sot

Ukraina përgatit nxënësit për luftë, ata do të mësojnë të fluturojnë dronë luftarakë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Ukrainës ka miratuar një set të ri mjetesh mësimore për lëndën “Mbrojtja e Ukrainës” që mësohet në shkollat fillore dhe të mesme, duke filluar kështu një reformë gjithëpërfshirëse të kurrikulës shkollore në kontekstin e situatës aktuale të sigurisë në vend.

Sipas informacionit të ofruar nga Oboronka, një projekt i industrisë së mbrojtjes që vepron brenda platformës Mezha.Media dhe Ukrainska Pravda, nxënësit tani do të kenë qasje në simulatorët FPV për kontrollin e dronëve, stërvitësit e qitjes me bazë laseri, pajisjet multimediale, tabletat, por edhe pajisjet taktike që më parë përdoreshin ekskluzivisht në ushtri dhe shërbimet e shpëtimit.

Vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit të aftësive në fushën e ndihmës para-mjekësore.

Nxënësit do të kenë mundësinë të përdorin helmeta moderne, jelekë antiplumb, maska gazi të çertifikuara dhe pajisje për mbrojtje kimike.

Pajisjet teknike përfshijnë dronë të vërtetë për stërvitje, stacione radioje, si dhe elementë për stërvitje.

Ministria thekson se ky modernizim i mësimdhënies do të përmirësojë aftësitë e nxënësve në ofrimin e ndihmës së parë, zhvillimin e të menduarit kritik, gatishmërinë për të vepruar në situata krize dhe rezistencën ndaj dezinformatave.

Reforma e mësimdhënies filloi më herët kur lënda “Mbrojtja e Ukrainës” u transformua nga mësimdhënie kryesisht teorike në trajnime intensive që tani mbahen për 6 deri në 8 orë në muaj në qendra të specializuara trajnimi.

Ky hap përfaqëson vazhdimin e përpjekjeve të Ukrainës për t’iu përgjigjur realiteteve të luftës përmes sistemit arsimor dhe për të siguruar që brezi i ri të jetë i përgatitur të përballet me sfidat e mjedisit modern të sigurisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot