Një lojtar i Paris Saint-Germain thuhet se ka dorëzuar kërkesën për t’u larguar nga klubi francez pas humbjes ndaj Chelseat.
Të dielën në mbrëmje, fituesit e Ligës së Kampionëve, PSG, kishin shpresuar të shtonin në koleksionin e tyre edhe versionin e ri të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s.
Megjithatë, ata u mposhtën thellë 3-0 nga Chelsea, falë golave të Cole Palmer dhe Joao Pedro.
Pas ndeshjes, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u pa duke qëndruar përkrah lojtarëve të Chelseat gjatë ceremonisë së ngritjes së trofeut.
Në vijim të finales, një raport nga media franceze L’Equipe zbuloi se një lojtar i PSG-së ka dorëzuar kërkesë zyrtare për largim nga klubi.
Bëhet fjalë për mbrojtësin 21-vjeçar Lucas Beraldo, i cili kërkon të largohet nga ‘Parku i Princave’ për të pasur më shumë minuta në fushë.
Pavarësisht se iu bashkua klubit vetëm 18 muaj më parë nga skuadra braziliane Sao Paulo, Beraldo tashmë ka kërkuar të largohet.
Sipas raportit, Beraldo është i lumtur në Paris, por është i gatshëm të ndërmarrë një hap të guximshëm për të dëshmuar vlerat e tij diku tjetër, me synimin për të bindur trajnerin e Brazilit për përfshirje në skuadrën për Kupën e Botës 2026.
Mbrojtësi e nisi titullar ndeshjen e së dielës, por pati vështirësi për të përballuar sulmuesit Palmer dhe Pedro.
Thuhet se PSG është befasuar nga kërkesa për largim e Beraldos, por ka vendosur ta pranojë kërkesën e tij nën disa kushte.
Që Beraldo të largohet, PSG duhet më parë të sigurojë një zëvendësues në mbrojtje, me yllin e Bournemouth, Illia Zabarnyi, si objektivin kryesor.