I palëkundur

- Bota Sot

I palëkundur

Reali i Madridit ka bërë dje zyrtar transferimin e mbrojtësit Alvaro Karreras nga radhët e Benfikës, duke paguar jo pak për futbollistin spanjoll i cili ka një të kaluar te madrilenët.

Futbollist i krahut të majtë të prapavijës është vetëm 22- vjeçar, por i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij te Benfika në sezonin e fundit, duke shtyrë Realin që të paguante 50 milionë euro në arkat e klubit portugez.

Ky i fundit ishte i palëkundur në kërkesën e tij ekonomike që kur nisën negociatat 60 ditë më parë, dhe për më tepër, ia doli t’i shkëpuste Realit edhe një marrëveshje që lojtarin ta kishte edhe për Botërorin e Klubeve.

Madrilenët, ishin të gatshëm të pranonin edhe këtë kërkesë dhe vetëm pas përfundimit të aktivitetit, palët shtrënguan përsëri duart dhe u bë zyrtare firma në kontratë e lojtarit deri në vitin 2031.

Kështu merr fund një telenovelë për kthimin “në shtëpi” të futbollistit i cili në vitin 2020 kishte lënë Realin ku nuk i ishte dhënë mundësia në ekipin e parë, për t’u bashkuar fillimisht Mançester Junejtid, për të luajtur më pas me Preston, Granada e së fundmi Benfikën, ku në një vit u kthye në një nga emrat më premtues të skuadrës.

Kjo shtyu Realin që të paguante 50 milionë euro për të, duke e bërë mbrojtësin e dytë më të shtrenjtë në historinë e “los blancos”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot