Barcelona ka vendosur që Lamine Yamal ta trashëgojë fanellën me numrin 10, por pa ceremoni madhështore, siç ishte planifikuar fillimisht. Klubi kishte parashikuar një ngjarje zyrtare për ditëlindjen e 18-të të lojtarit dhe prezantimin e fanellës së re, por kjo u anullua pas polemikave që pasuan festën e organizuar nga Yamal për ditëlindje.
Klubi vendosi të mos rrezikojë që një moment simbolik – kalimi i fanellës legjendare të Messit – të zbehet nga debatet mediatike. Prandaj, prezantimi i numrit 10 për Yamal do të bëhet në mënyrë diskrete, transmeton KosovaPress.
Ndërkohë, shumë tifozë janë përpjekur të blejnë fanellën e re të Barcelonës me numrin 10 të stampuar për Yamal, por në dyqanet zyrtare u është thënë se ende nuk është konfirmuar si numër përfundimtar.
Barcelona e ka rinovuar kontratën e Yamal deri në vitin 2031, ndërsa vetë lojtari ka lënë disa aludime në rrjetet sociale për numrin e ri. Megjithatë, prezantimi zyrtar do të mbahet larg syve të publikut, për të shmangur çdo devijim nga rëndësia simbolike e këtij momenti.