Napoli është favorit absolut për të fituar sërish Scudetton edhe në edicionin e ri në Serie A.
Kështu mendon legjenda e futbollit italian, Arrigo Sacchi. Ai në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, e ka vlerësuar lart punën e trajnerit Antonio Conte dhe përforcimet që ai ka bërë deri më tani.
Sacchi flet veçanërisht për transferimin e madh të kësaj verë, Kevin De Bruyne.
“Conte ka zgjedhur një lojtar të vërtetë. De Bruyne ishte i frikshëm te Manchester City i Guardiolës dhe do të jetë po aq i rëndësishëm edhe te Napoli. Ai është një lojtar serioz, që nuk vjen në Itali për të kaluar kohën, por për të kontribuar.
Ai dëshiron të përfshihet plotësisht dhe mjedisi i Napolit e ka magjepsur”, ka thënë Sacchi.
Për ish-trajnerin e famshëm të Milanit dhe përfaqësueses italiane, kombinimi mes disiplinës taktike të Contes dhe cilësisë së De Bruyne është sinjali më i qartë që Napoli do të jetë sërish një forcë dominuese në Serie A.