Dy aeroplanë kinezë thuhet se kanë qenë vetëm sekonda larg një përplasjeje në hapësirën ajrore të Rusisë.
Kjo pasi që një aeroplan pasagjerësh i kompanisë Air China ndryshoi lartësinë pa leje, duke sjellë një përqasje të rrezikshme me një aeroplan mallrash, shkruajnë mediat e huaja.
Fluturimi CA967 i Air China, që udhëtonte nga Shanghai për në Milano, papritur u ngjit nga 10,394 metra në 10,973 metra pa udhëzim nga kontrolli ajror rus më 6 korrik, raportoi South China Morning Post.
Ky manovrim e solli atë në një distancë prej rreth 90–120 metrash nga Fluturimi CSS128 i SF Airlines, një aeroplan Boeing 767 mallrash që po fluturonte nga Budapesti drejt Ezhou, në Kinën qendrore.
Protokollet ndërkombëtare të sigurisë në aviacion kërkojnë një distancë vertikale minimale prej 1,000 këmbësh (rreth 305 metra) ndërmjet aeroplanëve në lartësi udhëtimi.
Ngjarja e rrezikshme thuhet se ndodhi mbi Tuva, një rajon malor i largët në Siberinë jugore, pranë kufirit me Mongolinë, dhe u kap nga të dhënat e ndjekjes në kohë reale të Flightradar24.
Ngjitja e paautorizuar aktivizoi alarmet e sistemit për shmangie përplasjesh (TCAS) në të dy aeroplanët, duke detyruar pilotët të kryejnë manovra emergjente.
Regjistrime audio që qarkullojnë në rrjetet sociale kineze tregojnë se kontrollori rus mund të ketë qenë duke menaxhuar katër aeroplanë njëkohësisht dhe mund të ketë dhënë udhëzime të paqarta.
Burimi i këtyre regjistrimeve mbetet i panjohur dhe autenticiteti i tyre nuk është verifikuar.
Air China, SF Airlines dhe autoriteti civil i aviacionit në Kinë nuk kanë dhënë ende komente publike.
Ende nuk është e qartë pse ekuipazhi i Air China ndryshoi lartësinë, por një nga pistat që po hetohet është një keqkuptim i një komande të dhënë për një aeroplan tjetër.
Pas kalimit në një frekuencë private, dy pilotët kinezë folën në gjuhën mandarin.
Kapiteni i SF Airlines shprehu shqetësim për ngjitjen, duke e quajtur atë “shumë të papërshtatshme”, dhe pyeti nëse ishte marrë leje.
Piloti i Air China ia atriboi konfuzionin kontrollorit rus, i cili, sipas tij, kishte bërë “shumë zhurmë” dhe kishte lënë ekuipazhin “të hutuar”. Ai pranoi se do të duhej të dorëzonin një raport zyrtar.