Në “Stade de Genève” nis faza më delikate e Europianit të futbollit për femra.
Norvegjezet vijnë në këtë duel pas një faze grupesh perfekte ku kanë grumbulluar 9 pikë në tri takime.
Një fitore përballë Italisë do të thotë shumë pasi kombëtarja në fjalë nuk shkon mes katër më të mirave të Europës që prej 2013-ës. Ai vit përkon me herën e fundit kur Italia mundi që të kualifikohej në fazën me eliminim direkt. Futbollistet italiane në rast fitoreje sonte do të bëjnë historinë pasi për herë të fundit kanë luajtur në gjysmëfinalen e Europianit në 1997-ën.
Në konferencën e djeshme për shtyp komisarja teknike e Norvegjisë, Gemma Grainger, tha: “Pika e fortë e Italisë qëndron pas talentit të disa lojtareve. Sigurisht që skuadra që do të kemi përballë di fare mirë edhe se si të organizohet në mbrojtje.
E interpretojnë mjaft mirë lojën me pesë mbrojtëse, por edhe në sulm nuk bëjnë shaka pasi kur dalin përpara sulmojnë zonën me shumë lojtare”. Komisari teknik i Italisë, Andrea Soncin, pranoi se vigjilja e një çerekfinalaje kishte karikuar të besuarat e tij:
“Po numërojmë orët që na ndajnë nga kjo ndeshje, kemi shumë adrenalinë. Na pret një duel i madh dhe shumë i vështirë. Them se në këtë ndeshje nuk ka favorite pasi do të jetë një duel i balancuar. Ashtu si të gjitha kombëtaret e tjera Norvegjia aspiron të kualifikohet në gjysmëfinale”.