Niko Gonzalez nuk bën më pjesë në planet e Juventusit.
Me ardhjen e trajnerit të ri, Igor Tudor, hapësirat për argjentinasin dhe për të gjithë lojtarët e krahut janë ngushtuar ndjeshëm.
Përveç rasteve të veçanta si ai i Konseisaos, i cili ka pranuar një rikualifikim roli në skemën e re taktike, të tjerët janë futur në listën e lojtarëve të tepërt. Ndërkohë, ka një zhvillim të rëndësishëm për të ardhmen e Gonzalez, futbollisti ka dhënë dritën jeshile për të shqyrtuar ofertat që vijnë nga Arabia Saudite.
Skuadra që ka shfaqur më shumë vendosmëri për ta transferuar është Al Ahli, që sipas raportimeve është gati të ofrojë 30 milionë euro për kartonin e tij dhe një pagë të majme për vetë lojtarin. Kjo lëvizje do t’i shërbente edhe Juventusit, pasi shifra e ofruar do të mjaftonte për të shmangur një humbje financiare në bilanc. Aktualisht, Niko Gonzalez përfiton 3.6 milionë euro neto në sezon, me një kontratë pesëvjeçare të firmosur verën e kaluar.
Falë dekretit të rritjes, kostoja bruto e tij për klubin është më e ulët, por gjithsesi mbetet një barrë për planin e ri financiar dhe sportiv të drejtuar nga drejtori Komoli. Ndryshe nga paraardhësi Xhuntoli, i cili nisi një revolucion të gjerë, Komoli po ndjek një strategji më të kujdesshme, me ndërhyrje të menduara mirë, që marrin parasysh jo vetëm aspektin ekonomik, por edhe përshtatshmërinë taktike të lojtarëve. Fillimisht, Gonzalez ishte menduar si një element kyç në projektin e Xhuntolit, madje pritej të ishte një lider në fushë.
Në një farë mënyre, kjo u materializua vetëm në fund të sezonit, por ndryshimet në stolin e Juventusit i hoqën atij statusin e garantuar. Sipas Komolit, kostot e mbajtjes së tij nuk përputhen me kontributin e dhënë dhe me rolin që Tudor ka në mendje për të ardhmen. Statistikat e sezonit të fundit flasin vetë, 5 gola dhe 4 asiste në 38 ndeshje, shifra që nuk e justifikojnë investimin.
Për këto arsye, duket se ndarja mes Gonzalezit dhe Juventusit është zgjidhja më e mirë për të dyja palët. Një transferim drejt Arabisë Saudite jo vetëm do të çlironte buxhetin e klubit bardhezi, por edhe do t’i garantonte futbollistit edhe një pagë më të lartë nga ajo që merr në Torino.