Sarri shtrohet në spital

- Bota Sot

Sarri shtrohet në spital

Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, është shtruar mëngjesin e së mërkurës në një klinikë private në Romë për shkak të një gjendjeje të papritur shëndetësore. Sipas asaj që raporton prestigjiozja italiane La Repubblica, 65-vjeçari është pranuar në klinikën Villa Mafalda, një nga institucionet më të njohura mjekësore në kryeqytetin italian.

Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur në mënyrë zyrtare nga klubi apo familjarët, ndërsa mediat italiane shkruajnë se trajneri ka pasur shqetësime që kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme mjekësore. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë problem të rëndë apo vetëm për kontrolle të zakonshme mjekësore pas lodhjes së periudhës përgatitore.

Sarri, i njohur për stilin e tij të veçantë të drejtimit dhe për përkushtimin e tij ndaj futbollit taktik, ka qenë në krye të Lazios që nga viti 2021, transmeton KosovaPress.

Në pritje të një komunikate zyrtare nga klubi i Lazios, tifozët dhe opinioni sportiv në Itali shpresojnë që gjendja e Sarrit të mos jetë serioze dhe që ai të rikuperohet sa më shpejt për t’u rikthyer pranë skuadrës në prag të sezonit të ri të Serie A.



Lexoni të gjitha në Bota Sot