Florian Wirtz është pa dyshim goditja më e madhe e Liverpool-it këtë verë, por pavarësisht entuziazmit që ka sjellë transferimi i tij nga Bayer Leverkusen për rreth 117 milionë euro, Jurgen Klopp ka ngritur një pyetje të rëndësishme:
Në cilin pozicion do ta përdorë Arne Slot?
Ish-trajneri legjendar i “The Reds”, i cili i dha fund aventurës së tij në Anfield këtë vit, ka shprehur kuriozitetin e tij për mënyrën se si trajneri i ri holandez do ta aktivizojë 22-vjeçarin gjerman, i cili vjen pas një sezoni brilant me 10 gola dhe 12 asistime në Bundesligë.
“Po, jam i bindur që do të jetë i jashtëzakonshëm.
Por nuk e di saktësisht në cilën pozicion Arne do ta vendosë Florianin,” – është shprehur Klopp për mediat britanik.
Wirtz nuk u pa në ndeshjen e parë miqësore të Liverpool-it, ku skuadra e Arne Slot fitoi 3-1 ndaj Prestonit në “Deepdale”.
Sipas Daily Mail, mungesa e tij u justifikua me një plan personal për menaxhimin e formës fizike.
Ndërkohë, përforcime të tjera si Giorgi Mamardashvili, Jeremie Frimpong, Milos Kerkez dhe Freddie Woodman morën minutat e tyre të para me fanellën e kuqe.
Dilema taktike: “10”, “9” fals apo në krah?
Pozicioni natyral i Florian Wirtz është mesfushor ofensiv, por në sezonin e fundit me Leverkusen-in ai është përdorur shpesh si sulmues qendror, duke regjistruar 16 gola dhe 15 asistime në të gjitha garat.
Klopp ka lënë të hapur mundësinë që Slot ta përdorë si “9” fals, apo edhe në krahun e majtë në rast largimi të mundshëm të Luis Díaz.
Pavarësisht pasigurive për pozicionin në fushë, Klopp është i bindur për kualitetet e Wirtz. Në një intervistë për RTL/NTV, ai tha:
“Do të jetë fantastik, nuk kam asnjë dyshim. Është shumë e vështirë të përforcosh një skuadër që është kampione, por Liverpool-i e ka bërë këtë. Kanë marrë një talent të jashtëzakonshëm. Mezi pres ta shoh në fushë.”
Ndeshja e ardhshme miqësore për Liverpooli-n do të jetë më 26 korrik ndaj Milanit, ku pritet që Florian Wirtz të marrë minutat e para me fanellën e klubit të ri. Me pritshmëri të mëdha dhe dilema taktike, aventura e tij në Anfield sapo ka filluar.