Zekirja Ramadani: Ndaj Kopenhagës, nuk dalim me flamur të bardhë

- Bota Sot

Zekirja Ramadani: Ndaj Kopenhagës, nuk dalim me flamur të bardhë

Pas një nate historike për futbollin kosovar, Drita siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që arrin një sukses të tillë.

Pas dy fitoreve ndaj Diferdanzh 03 nga Luksemburgu, Drita u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 4-2 dhe tani e pret përballja e madhe me gjigantin danez FC Kopenhagë. Kampioni i Kosovës triumfoi 1-0 në Prishtinë dhe 2-3 në Luksemburg për të kaluar tutje.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, i emocionuar pas ndeshjes, deklaroi se ka besuar në punën e skuadrës së tij dhe ishte obligim profesional që ta kalonin këtë sfidë.

“Kam besuar në punën që kemi bërë dhe në cilësinë e ekipit, dhe ja që u kualifikuam në raundin e dytë. Por në këtë kanë besuar të gjithë në skuadrën tonë, dhe së bashku arritëm të kalojmë raundin e parë. Ishte një obligim profesional dhe kolektiv ta kalonim këtë sfidë dhe ia dolëm ta përmbushim qëllimin tonë”, tha Ramadani.

Tutje i pari i shtabit teknik të Dritës ka thënë se edhe ndaj Kopenhagës do të luftojnë dhe se nuk do të dalin në fushë me flamur të bardhë.

“Tani, natyrisht, kemi përballë një kundërshtar ndryshe. Por më parë duhet të bëjmë analizën dhe pastaj, si staf, të japim më të mirën për të përgatitur një analizë të mirëfilltë, e cila pastaj do t’u përcillet futbollistëve.

Ata e dinë dhe e kanë aftësinë të japin maksimumin në fushë. Me flamur të bardhë nuk do të dalim. Nëse duam të bëhemi lajm kryesor në Evropë, duhet të eliminojmë kundërshtarë të këtij rangu”, ka deklaruar Ramadani për faqen zyrtare të klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot