Real Madridi ka bërë disa lëvizje të rëndësishme këtë verë për të rindërtuar skuadrën nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Klubi ka siguruar disa përforcime kyçe, përfshirë Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Franco Mastantuono dhe Alvaro Carreras.
Megjithatë, pavarësisht këtyre transferimeve të profilit të lartë, burime të brendshme i thanë ESPN se Real Madrid nuk pritet të bëjë blerje të tjera këtë verë, përveç nëse ndodhin largime të rëndësishme.
Klubi madrilen ka shpenzuar shumë këtë afat kalimtar, përfshirë pagesa të klauzolave të larta dhe tarifave të majme transferimi, duke arritur tashmë në kufirin e investimeve të planifikuara për këtë merkato.
Real Madrid ka treguar interes për të përforcuar më tej repartin e mbrojtjes dhe mesfushës. Emra si Piero Hincapie, që më parë ka punuar me Xabi Alonson te Bayer Leverkusen, dhe Ibrahima Konate i Liverpoolit, janë monitoruar nga drejtuesit e klubit, por nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Po ashtu, klubi shqyrtoi edhe disa alternativa në mesfushë, përfshirë Rodri dhe Angelo Stiller, por as këto pista nuk u konkretizuan.
E ardhmja e merkatos së Real Madridit varet kryesisht nga shitjet. Emra si Rodrygo dhe Dani Ceballos janë përfolur për largime të mundshme. Nëse njëri prej tyre transferohet, klubi mund të rishikojë qëndrimin e vet.
Për momentin, mesazhi nga Santiago Bernabeu është i qartë: Real Madrid e konsideron të mbyllur merkaton, përveçse nëse ka lëvizje të mëdha në dalje.