Ish-sulmuesi i njohur italian, Christian “Bobo” Vieri, ka dhënë vlerësime shumë pozitive për Kupën e Botës për Klube, e cila përfundoi pak ditë më parë me triumfin e Chelsea-s ndaj PSG-së në finale.
Duke folur për “Gazzetta dello Sport”, Vieri u shpreh entuziast për nivelin dhe organizimin e turneut.
“Një turne i bukur, një shfaqje e bukur edhe për tifozët”, tha ai.
Vieri gjithashtu vlerësoi lartw edhe rolin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke e cilësuar atë si faktor kyç në suksesin e këtij formati.
“Brenda një muaji, të gjithë lojtarët më të mirë në historinë e futbollit u panë në SHBA sepse Infantino, presidenti më i mirë në historinë e FIFA-s, na bëri të gjithëve një familje të madhe. Ata para tij as nuk na përshëndetën, Gianni të bën të ndihesh i rëndësishëm, si në shtëpi”, theksoi ai.
Kupa e Botës për Klube, në formatin e ri të zgjeruar, është zhvilluar për herë të parë këtë vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka tërhequr vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.