Konfliktet ndërluftuese që kanë shpërthyer këto dy tre vitet e fundit në mes Rusisë dhe Ukrainës, apo ato në mes Izraelit dhe Palestinës e Iranit, të cilat janë shoqëruar me bombardime të shumta nga të palët ndërluftuese, mes të tjerash kanë nxjerrë në pah edhe nevojën apo ekzistencën e vendstrehimeve të popullsisë civile, si dhe objekteve të tjera nëntokësore të shtabeve ushtarake që drejtonin luftimet, etj. Në këtë “vorbull”, pra në nevojën e ndërtimit të këtyre vendstrehimeve për popullsinë civile, si dhe objekteve të tjera sekrete nëntokësore të vendkomandave të shtabeve ushtarake, etj., ka kaluar edhe Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gjatë gjithë ekzistencës së atij regjimi.
Lidhur me këtë, ne iu drejtuam 79-vjeçarit Kudret Çollaku, me profesion inxhinier ndërtimi, i cili për më shumë se 20 vite me radhë, ka shërbyer pranë Shtabit Qendror të Mbrojtjes Civile, institucion, apo më saktë një sektor që kishte si detyrë kryesore, projektimin dhe ndërtimin e objekteve nëntokësore, ku do të strehohej popullsia civile apo, vendkomandave të shtabeve ushtarake, që do drejtonin luftën, etj., në rast të një agresioni të armatosur nga jashtë, apo dhe bombardimeve të aviacionit armik! Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, z. Çollaku dëshmon për karrierën e tij në atë sektor të Ministrisë së Brendshme, si dhe për disa nga problematikat me të cilët është ndeshur, jo vetëm nga ana teknike, por edhe për debatet e ish-krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, sikryeministrin Mehmet Shehu dhe ishministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu, lidhur me objektin sekret nëntokësor që u ndërtua në fillimin e viteve ’80- të në mes të Tiranës.
Z. Çollaku, ju keni mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë dhe jeni emëruar në Ministrinë e Brendshme të asaj kohe, kërkuat vetë apo, ju emëruan në atë vend?
Në mesin e vitit 1963, mbarova atë fakultet dhe fillova punë në Ministrinë e Brendshme. Dihet që, në atë kohë, punën ta caktonte shteti. U emërova në Shtabin Qendror të Mbrojtjes Civile, e cila ishte drejtori e asaj ministrie, për strehimet mbrojtëse të popullsisë.
Në atë kohë, të punoje në atë ministri, ishte privilegj?
Për mua nuk ishte privilegj, dhe të them të drejtën, nuk e prita mirë, por pa u shprehur me njeri për këtë gjë. Arsyet kryesore ishin këto: Së pari, ishte një punë jashtë profesionit tim. Si në shkollën Teknike edhe në universitet, gjatë atyre 9 viteve, nuk kisha dëgjuar as edhe një leksion për objektet mbrojtëse të tunelizuara. Arsye tjetër ishte se nuk desha të isha ushtarak, me kobure në brez edhe kur projektoja, edhe kur shkoja për inspektim, apo drejtim punimesh, deri edhe kur do shkoja në kinema me familjen, duhej më parë të lija adresën, deri edhe numrin e karriges. Por me kurajë, vështirësi e këmbëngulje, duke shfrytëzuar atë pak literaturë, dhe ato projekte të objekteve në ndërtim, thuajse ia dola mbanë.
A mund të na thuash më konkretisht se, ç‘ishte ky shtab qendror dhe me se merrej?
Ky sektor, që ishte nën vartësinë e Ministrisë së Brendshme, kishte detyrë të përgatiste popullsinë civile, për raste lufte. Në atë institucion, përveç sektorit të objekteve mbrojtëse, ishte dhe ai i shërbimit kimik, i errësimit të dritave dhe lajmërimit, si dhe shërbimi shëndetësor. Ishte koha kur Shqipëria sapo ishte ndarë me Bashkimin Sovjetik dhe shtetet e tjera të Lindjes Komuniste, koha kur të dy kampet ishin në armiqësi me njëritjetrin, me një ushtri qindra mijëra ushtarësh në Europë, me armët më moderne të kohës. Para meje në atë sektor, ishte një tjetër inxhinier ushtarak, i cili kishte mbaruar jashtë shtetit, por që për fat, e kishin larguar. Kjo strukturë në qendër, kishte një batalion ushtarësh efektivë, kurse në rrethet kryesore, nga një kompani rezerviste të specializuar, jo vetëm për të kryer detyrat karshi popullsisë për kohë lufte, por edhe për raste tërmeti, inondata etj…, të pajisura deri në salla fushore për operacione kirurgjikale mjekësore. Në një situatë normale, këto forca përdoreshin për ndërtime tunelizuese vetjake dhe strehime tunelizuese për repartet e mbrojtjes nga zjarri, si pjesë e gatishmërisë për atë kohë etj…! Ky shtab ishte me një strukturë organike shumë të reduktuar, nga një kuadër për çdo shërbim.
Në çfarë faze ishin strehimet mbrojtëse kur filluat punë ju?
Në qytetet kryesore të vendit, punohej për ndërtimin e venddrejtimeve, siç quheshin asokohe, për shtabet që do të drejtonin veprimet në ndihmë të popullsisë për kohë lufte. Objektet ishin të tunelizuara, me projekte të bëra nga paradhënësi dhe specialist përkatës të Ministrisë së Ndërtimit, kurse punimet kryheshin nga ndërmarrjet e ndërtimit. Krahas kësaj, ndërmarrjet ekonomike të vendit, ndërtonin strehime të thjeshta mbrojtëse, për efektivin e tyre. Gjithashtu, po në rrethet kryesore të vendit, me anë rikonjicionesh, bëmë studimin dhe filluam ndërtimin e objekteve tunelizuese për kompanitë rezerviste. Si të tilla, përmend objektin e Shkodrës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës etj. Strehime mbrojtëse u ndërtuan dhe për repartet e mbrojtjes kundra zjarrit, si në Tiranë, dy objekte, në Krastë të Elbasanit, në Korçë, në Pogradec, ku edhe në kohë paqe, reparti ishte strehuar në të etj. Për t’u përmendur është objekti tip tunel “Katarakti” i Krrabës, ku ishte dislokuar Batalioni i Mbrojtjes Civile, me ushtarë efektivë që kreu punimet e gërmimit, kurse nga përmasat që kishte, punimet e betonit, deri në përfundim, u bënë nga një repart i Ministrisë së Mbrojtjes. Objekti kishte destinacionin e venddrejtimit të qeverisë për kohë lufte. Ishte objekti i parë pasi fillova punë, që kisha në drejtim, ndërtuar në një vend jashtëzakonisht të përshtatshëm për detyrën që kishte, por jo për vendosjen e Thesarit të Shtetit, ku pas viteve ’90-të, u vodh 280 kg. flori. Në këtë kuadër, me kalimin e kohës, doli një vendim qeverie, për ndërtimin e bodrumeve të mbrojtura në godinat e reja të banimit që do të ndërtoheshin, përfshi dhe godinat e institucioneve.
Mund të përmendësh raste ku ato janë ndërtuar?
Kanë kaluar më se 60 vjet dhe koha bën të vetën. Për popullsinë, si të tillë janë ndërtuar në Tiranë, mbaj mend në një pallat në “Rrugën e Barrikadave”, në Pogradec, në tre godina pesë kate banimi në “Rrugën Rinia”. Mund të përmend godinën e Spitalit Onkologjik, për të cilin jam thirrur nga projektuesit gjatë fazës së projektimit, për kërkesat që duhet të plotësojë një bodrum që të konsiderohet i mbrojtur dhe kam bindjen që ai objekt ashtu është realizuar.
Po për godinat e ministrive, a janë ndërtuar në atë kohë bodrume që t’i rezistonin goditjeve?
Fillimisht ne si ministri, adoptuam bodrumet, që së pari, t‘i rezistonin shembjeve të godinës nëse ndodhte, në kohë lufte, me goditje nga ajri, apo artileria me dalje avarie të largët. Ky objekt u quajt “Shtylla”, që do shërbente për emergjencën. Strehim mbrojtës është bodrumi i shtesës së godinës së Kryeministrisë, pjesa nga ana e “Piramidës”. Po kështu, bodrume të mbrojtura janë ato të objektit trekatësh, që u ndërtua kur ministër i Mbrojtjes, në atë ministri njëkohësisht ishte Mehmet Shehu.
Sa kohë punuat në atë detyrë dhe si e gjykoni sot ndërtimin e tyre. Pra a ishin të domosdoshëm?
Në sektorin e Mbrojtjes Civile, punuam gjatë, dy vjet e gjysmë. Pastaj kjo drejtori i kaloi për një kohë të shkurtër, Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas, Kryeministrisë. Ndërtimet për mbrojtjen e popullsisë dhe strukturave komanduese për rast lufte, janë shumë të nevojshme dhe kjo s’ka të bëjë me regjimin komunist totalitar të kohës kur janë ndërtuar. Më shumë strehime mbrojtëse duhet të ishin ndërtuar, si për popullsinë në lagje, edhe për institucionet. Qeveritë shkojnë e vijnë, ato mbeten. Në këndvështrimin tim, detyra e strukturës së Mbrojtjes Civile, është pjesë e mbrojtjes së vendit, sepse ushtria në atë kohë, ka detyra të tjera. Shteti, ato objekte që kanë ngelur pa u prishur, duhet t‘i përcaktoje e identifikojë ku ndodhen, sepse për to janë bërë shpenzime, pastaj ato nuk kanë detyrë sipas koniunkturës politike që krijohet.
Fatkeqësisht sot, jo vetëm Europa por, edhe përtej saj, po vuan ethet e luftës. Në media, ne shpesh shohim që në qendrat e banuara të Ukrainës, kur ofrohet rreziku i goditjeve nga ushtria e diktatorit Putin, banorët lajmërohen nga sirenat dhe shkojnë drejt strehimeve mbrojtëse, ku përfshihen dhe metrotë. Te ne, ndoshta, banorët apo nëpunësit përkatës, nuk dinë që bodrumi i tyre është mbrojtur. Por ne shohim edhe sekuenca të filmuara në Gazë te Palestinës, kur shemben pallatet nga goditjet e ushtrisë sioniste të Izraelit, por nuk shohim që popullsia të vrapojë drejt strehimeve mbrojtëse, se atje nuk ka të tilla. Madje në Ukrainë, siç shohim e dëgjojmë, në ato strehime, nxënësit edhe mësojnë, d.m.th., janë kthyer në shkolla ose ambiente të tjera, të shfrytëzueshme. Strukturave tona qeverisëse, u duhet t‘i identifikojnë këto strehime, siç përmendëm me lart, duke u bazuar edhe në dokumentet e Mbrojtjes Civile të ish- kryeministrisë, që duhet t’i ketë arkivi i Tiranës apo, ai Qendror dhe t’i përshtati ato për detyrën që kanë, duke i shfrytëzuar siç bëjnë gjithë bota, për kohë paqe. Më falni por, ne si popull, nuk kemi lënë kështjellë pa shkatërruar dhe këtë traditë të keqe e kemi edhe në shkatërrimin jo vetëm të objekteve mbrojtëse të popullsisë, por edhe ato të ushtrisë, sepse sipas këtij mentaliteti, urrehet regjimi diktatorial i kaluar.
Për atë regjim kemi të tjera argumente përse ta shajmë. Vite më parë, në një demonstratë proteste që organizonte opozita, një eksponent i ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, mori levën dhe po prishte strukturën e hyrjes prej betoni dhe deklaronte që; kur të vinte në fuqi ajo forcë, strehimin mbrojtës do ta shkatërronin! Për të përmendur është edhe një emision televiziv i realizuar nga gazetari i nderuar, Marin Mema, para nja dy vjetëve, ku tregohej një objekt në një shpat të malit Tomor, të quajtur “Krorëz”, të zonës të Skraparit, të ndërtuar nga ushtria. Të intervistuarit ishin një biçim kolonel, i specialitetit topograf, shkolluar jashtë shtetit dhe gjatë gjithë kohës ka dhënë mësim në shkollat ushtarake, por si topograf. Në dijeninë time, nuk është marrë me punime topografike të objekteve tunelizuese, aq më tepër me atë objekt. Në atë video pasqyrohej një tunel me dy hyrje, që s‘i kishin lënë gjë pa vjedhur e shkatërruar, përveç veshjes së betonarmesë, që s‘kanë pasur ç‘ti bënin. Pranë hyrjeve, në shesh paraqiteshin dy grumbuj gërmadhash, njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël, që kishin mbetur pas vjedhjeve dhe shembjeve.
Thuhej që ato mbeturina ishin të një godine dy kate, dhe tjetra një kat. Koloneli që këtë gjë e mësoi nga punëtori, intervistuesi i dytë, tha se dy- katëshi dhe godina tjetër, për t’u shprenin familjeve të Enver Hoxhës e Kadri Hazbiut!! Kjo që tha ai nuk është aspak e vërtetë. Unë kam qenë në atë objekt, ku na u dha detyra e disa ndërtimeve të tjera, në shërbim të objektit kryesor. Godina dy kate, ishte për zyra, ajo tjetra, e prapavijës, kurse vetë objekti i tunelizuar, do të shërbente për shtabin ushtarak që do të drejtonte rezistencën e luftës, në kushte kur vendi të ishte pushtuar. Ato godina edhe sot mund të ishin, nëse në to, pas rënies së regjimit të kaluar, mund të strehoheshin 2-3 familje në nevojë pranë objektit pa qira, ndër kohë, ruheshin dhe objektet. E keqja ishte që, në të dy te intervistuarit, dallohej gëzim, për ç‘kishte ndodhur!! Sot në shtete evropiane, krahas investimeve në drejtim të forcimit të ushtrisë, vihen në gatishmëri atje ku janë ndërtuar strehimet dhe shpërndahen albume me vizatime të tipave të ndryshme, në ndihmë për ndërtime të reja.
Shërbimet mbrojtëse të popullsisë, nuk duhet të shihen si veprime të qeverive totalitare. Në vende me demokraci të avancuar, numri i tyre dhe përqindja e të strehuarve të mundshëm në to, është e madhe. Zvicra, (sipas shifrave të publikuara në media), ka ndërtuar 365 mijë strehime familjare dhe kolektive, me kapacitet strehimi 104% të popullsisë. Suedia ka ndërtuar strehime mbrojtëse për 70% të popullsisë. Austria strehon 30% të popullsisë. Finlanda ka ndërtuar strehime mbrojtëse, duke shfrytëzuar dhe metrotë (ashtu si dhe shtetet e përmendura me lart), për 62% të popullsisë. Kemi humbur shanse për ndërtimin e strehimeve mbrojtëse në këto dekada, (të tipit bodrume) në pallatet e banimit, në shkolla, spitale, objekte social –kulturore, dhe ekonomike etj., të cilat kuptohet që shfrytëzohen edhe në kohe paqe. Këto janë të pa kthyeshme, por sa s’është vonë, mendoj që tani e tutje, qeveritë duhet ta bëjnë të detyrueshme një gjë të tillë, në ndërtimet e ardhshme të reja.
Pas dy vjet e gjysmë që punove në atë sektor, me ç‘punë u more më pas?
Ishte koha kur Mbrojtja Civile i kaloi Ministrisë së Mbrojtjes, kjo për një kohe të shkurtër, madje, ky sektor ju ngarkua Kryeministrisë. Nga fundi i vitit 1965, mua më thirri zëvendësministri i Punëve të Brendshme, që më parë drejtonte dhe Mbrojtjen Civile, gjeneral Qazim Kondi, një kuadër tepër i përgatitur dhe i kompletuar, jo vetëm si ushtarak. “Ushtria, – më tha, – ka vite që ndërton objekte tunelizuese mbrojtëse, kurse ne s`kemi hedhur asnjë kazmë për trupën tonë. Jemi tejet të zbuluar, ndërsa goditja e parë, në rast lufte, ka shumë rëndësi”. Më dha listën e organeve e reparteve të,@ Ministrisë, me efektivet përkatës të tyre dhe me kërkoi të bëja një plan 5-vjeçar, duke më dhënë përparësinë e objekteve, një grafik punimesh dhe fondet përkatëse, për çdo vit. Pajisjet dhe makineritë për kryerjen e punimeve dhe instalimeve, do t’i merrnim nga sektori ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes, që furnizoheshin nga Kina. Dhe kështu, na u desh të ngremë një sektor për projektimin dhe organizimin e ndjekjes së punimeve të objekteve, të mbrojtjes pasive, siç i quanim, kudo që kishte efektiv, nga qendra deri në bazë.
A mund të na flisni për historikun e projektimit dhe ndërtimit të tunelit nëntokësor, i cili ka qenë në përbërje dhe destinacion të ish- Ministrisë së Brendshme?
Për këtë objekt që po më pyesni, detyra m’u dha nga ishministri Brendshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, i cili më caktoi vendin e ndërtimit, që ishte prapa Ministrisë së Ndërtimit dhe para godinës së Ministrisë së Brendshme, para ish-klubit të saj, deri pranë fasadës të Teatrit Popullor. Ministri më dha organikën e personelit që do të shërbente dhe aftësinë mbrojtëse të objektit, që do t’i rezistonte një kalibri të caktuar të bombës të aviacionit, si dhe efekteve të bombës bërthamore. Krahas punëve të tjera, u mora me projektin teknik, që zgjati rreth një muaj e gjysmë (tetor- nëntorit 1981), ndërsa fletët anekse që do t‘i shërbenin zbatimit, ia kishin ngarkuar Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.
Njihja strukturën e tokës të sheshit të ndërtimit, që ishte konglomerat, kjo gjatë kohës që ndërtuam tunelet e daljeve avari të objektit “Shtylla”. Siç rezultoi dhe nga harta hidrogjeologjike e nëntokës, aty kishte nivel ujërash nëntokësore të përhershëm, që do të thoshte se: variant i tipit tunel të objektit, ishte i përjashtuar, kurse krahas kësaj, u identifikua dhe rrjeti i ujë-kanalizimit, telefonisë dhe elektrikut. Pasi projekti përfundoi, në datën 2 ose 3 dhjetor 1981, mora urdhër nga zv.ministri përkatës që, rreth orës 1130, të shoqëroja ministrin Feçor Shehu për në kryeministri, ku do të bëhej miratimi. Më parë, fleta kryesore e projektit me planimetrinë dhe prerjet përkatëse, që tregonin dimensionin e soletës mbrojtëse, ishte firmosur nga ministri, ai i Ndërtimit dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, meqenëse objekti ndërtohej afër qendrës së qytetit. Bëra përpjekje që t’i shmangesha vajtjes te kryeministri, për faktin se, nuk më thirri më parë në zyrë, t‘i jepja shpjegimet përkatëse, pasi e dija që kryeministri Mehmet Shehu, miratimin nuk do kalonte aq lehtë, siç dhe ndodhi, në fakt. Pastaj, e dija që kryeministrin, nuk do ta gjenim në ditë të mira, pasi “Njëshi” i shtetit, pra Enver Hoxha, e kishte lënë që, “gjyqin” për fejesën e gabuar të djalit, do t’ia bënte pas Kongresit që do mbahej në nëntor të atij viti. Dhe tjetra, që unë nuk kisha dëshirë të shkoja te kryeministri Mehmet Shehu, ishte fakti se dy vjet e gjysmë më parë, nga mesi i vitit 1977, e kisha pritur në një objekt mbrojtës (tip tunel, mjaft të veçantë) në Çorovodë të Skraparit, që quhej objekti “Lumi” dhe desha të mbaja mend atë takim, ku njeriu i dytë i fuqishëm i shtetit, (duke mënjanuar ashpërsinë e tij ndaj luftës së klasave), më bëri vlerësimin për objektin që kishin ndërtuar, por nuk ia arrita. Pra, isha i detyruar të shkoja në atë takim me kryeministrin Mehmet Shehu, ku në hyrje të zyrës së tij, ai la tavolinën e vogël të mbushur me aparate telefonike, u drejtua nga ne dhe pasi na përshëndeti, na uli në tavolinën e dytë, në të djathtë të derës.
Ishte në gjendje të rënduar psikologjike, gjë që dukej qartë edhe në ecje, por konciz, sikur të ishte edhe ai inxhinier, gjatë shpjegimeve që dhamë. Nuk këmbeu asnjë fjalë jashtë detyrës për të cilin shkuam, si dhe, rezistoi shumë për ta miratuar objektin në fjalë. Në fund, telefonoi ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiun, të cilit i kërkoi mendimin e tij, për atë objekt. Ministri Hazbiu i tha se atë projekt e njihte dhe ishte pro ndërtimit të tij. “Në rast lufte – i tha, – aty do qëndrojë një organikë e reduktuar kuadrosh, që do të kryejnë detyrat që i takojnë asaj ministrie dhe po të vijë situata në qytet, që banorët të largohen, këta do të jenë të fundit, ndryshe, vendi do të bjerë në dorën e hajdutëve e kriminelëve”. Pas kësaj, kryeministri Mehmet Shehu, hodhi firmën e miratimit. Sapo dolëm nga zyra, raportet e mia me ministrin Feçor Shehu ndryshuan për mirë. Shoqëruesi dhe shoferi u dërguan për tek ministria, kurse ne morëm rrugën në këmbë, deri te vendi i objektit të ardhshëm, ku ai kërkoi t’i tregoja konkretisht shtrirjen dhe kufijtë e objektit. Si për koincidencë, dy javë pas kësaj, në Radio dhe Televizion u dha lajmi i vetëvrasjes së Mehmet Shehut! Pas kësaj që ndodhi me kryeministrin, përveç të tjerash, që nuk është vendi të shprehem dhe të ndalemi këtu, në u habitëm edhe për një fakt është e habitshme që, edhe pse ai u quajt “poliagjent” etj., objekti u ndërtua me projekt të firmosur nga ai.
Po pas asaj ngjarje, ku vazhduat të punonit?
Pas një muaji u emërova kryetar i një dege autonome të “Rëndësisë së veçantë”, që veç të tjerash, merrej me planifikimin e masave për evakuimin e vlerave arkivale të ministrive dhe instituteve të projektimit e kulturore të shtetit, si dhe të Thesarit të Bankës, në rast të një situate te jashtëzakonshme lufte. Aty punova deri në mesin e tetori të vitit 1982, pas së cilës, më vunë në dispozicion të Ministrisë së Ndërtimit, për të punuar si inxhinier. E ndiej veten të lumtur që, veçanërisht gjatë atyre 20 viteve që punova në objektet e tunelizuara, që kishim në drejtim, nuk patëm asnjë humbje jete ushtari apo rezervisti.
Po, ç‘ndodhi më tutje me ju, pra pas atyre 20 viteve pune në sektorin e punimeve mbrojtëse nëntokësore, pse ju larguan që andej?
Në mesin e tetorit të vitit 1982, më larguan nga ajo ministri pa asnjë motivacion dhe më vunë në dispozicion të Ministrisë së Ndërtimit, për të punuar si inxhinier, menjëherë, pas dënimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, që në atë kohë mbante funksionin e ministrit të Mbrojtjes Popullore, me të cilin familja ime kishte krushqi. Dy ditë më parë, në sallën e madhe të Klubit të Ministrisë së Brendshme, na mblodhi ministri Hekuran Isai, i cili pasi na foli shkurtimisht për punimet e plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, ku u dënua ministri i Mbrojtjes (Kadri Hazbiu) dhe disa kuadro të tjerë ushtarakë, në mbyllje të fjalës së tij, (gjithnjë sipas Hekuranit), Enver Hoxha në atë plenum kishte deklaruar: “Vendi ynë është përfshirë nga një agjenturë e shtrirë në gjerësi e thellësi dhe se kësaj çështje, do t’i shkohet deri në fund, sikur 200 komunistë të mbeten, se me kaq e filluam”. Por koha tregoi se, fatmirësisht, asgjë nuk u vërtetua pas kësaj prognoze politike të udhëheqësit kryesor të Partisë, ndërsa ai i pushtuar nga sëmundjet, pas dy vjet e gjysmë, “trokiti në derën e Zotit”.
Ndërkohë, krushku jonë i nderuar (Kadri Hazbiu), si në mbledhjet në rrugë partiake e shtetërore, ashtu edhe gjatë hetimit e procesit gjyqësor, u mbrojt në mënyrë të shkëlqyer nga akuzat e pabaza që i bëheshin, gjë që i kushtoi ekzekutimin në qeli, siç kanë deklaruar publikisht në shtyp disa persona pas viteve ’90-të, (Gazeta “Fjala” Tiranë, dt. 4 mars 2023), që kanë pasur lidhje direkt apo indirekt me atë ngjarje. Apo intervista e ish-oficerit Halil Rrahmani, efektiv i Reparti 324 të Ministrisë së Brendshme, dt. 4 mars 2023), që ka shërbyer në Burgun e Tiranës (Reparti 313), gjatë periudhës së procesit hetimor e gjyqësor të Kadri Hazbiut. Pra eliminimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut në qeli, është i ngjashëm me një histori dhe skenë shekspiriane.
Sot pas kaq vitesh, nisur nga sektorët e punës ku keni shërbyer si dhe krushqia familjare me ish-ministrin Kadri Hazbiu, si e mendoni eliminimin e tij? Pra, përse Enver Hoxha e ekzekutoi Hazbiun, kur siç dihet dhe nga dokumentet arkivore që janë publikuar pas viteve ’90-të, disa muaj para se ta arrestonte (shkurt 1982), i propozoi funksionin e kryeministrit dhe Hazbiu nuk e pranoi?
Qofsha i gabuar, por në këndvështrimin tim, gjithçka që u bë me të dhe me ish-ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, ishte hakmarrja dhe intrigë e UDB-së. Kuptimplotë është konkluzioni i ish zv.ministrit të Brendshëm të atyre viteve, gjeneral-major Qazim Kondi, i cili në kujtimet e tij të botuara në një libër para disa vitesh, midis te tjerash shkruan: “Kemi goditur shumë grupe spiunësh të UDB-së, por rrënjët mbeten këtu”!
Të kthehemi tek ju personalisht, pas largimit nga ministria e Brendshme, ku ju sistemuan me punë?
Për dy vjet e gjysmë, punova në qytetin e Rrëshenit, në profesioni tim si inxhinier ndërtimi. Mandej, me kërkesën time këmbëngulëse, u transferova në Hidrocentralin e Komanit, në kantierin e godinës të centralit, kurse pas inaugurimit të turbinës së parë, punimet në hidrocentral u pakësuan, kantieret u përgjysmuan, kurse unë u ngarkova të mbyllja ato pak punime ndërtimi që kishin mbetur, si në ndërtesën e centralit, ashtu edhe në ato të digës. Isha inxhinieri i fundit i ndërtimit që u largova, pasi çdo gjë i mbeti kantierit të montimit. Pas kësaj, punova në ndërtimin e pallateve të banimit në Tiranë, me disa kompani private që operonin në fushën e ndërtimtarisë. Në mbyllje të kësaj bisede me ju, si qytetar dhe intelektual, besoj se kjo intervistë, ku kryesisht u ndalëm dhe folëm për ndërtimin e strehimeve mbrojtëse të popullsisë dhe institucioneve, mund të shërbejë në sensibilizimin e organeve përkatëse shtetërore, ashtu dhe vetë popullsisë.