Siç pritej tratativat për të dërguar Nick Woltemade në Mynih do të jenë të vështira për Bayern-in e Mynihut.
Klubi bavarez i ka paraqitur pasditen e djeshme një ofertë të përmirësuar ekipit të Shtutgart për shërbimet e 23-vjeçarit.
Në ofertën e dytë zyrtare Bayern kishte vendosur në pjatë 50 milionë euro dhe 5 milionë në formë bonusesh si dhë 10% të shumës që do të përfitonte nëse në të ardhmen shet Nick Woltemade-n.
Sipas medieve gjermane edhe kjo ofertë e dytë e ekipit bavarez është refuzuar pasi Shtutgart ka lënë të kuptohet se shifra për të cilën do të privohej nga shërbimet e sulmuesit do të ishte ajo e 65 milionë eurove.
Në këtë vendim të rëndësishëm shefi i ekzekutiv i Shtutgart, Alexandre Wehrle dhe drejtori sportiv, Fabian Wohlgemuth thuhet se kanë mbështetjen e plotë të bordit supervizor. Gjithashtu mësohet se presidenti i klubit Dietmar Allgaier dhe dy aksionerët e rinj, të cilët janë kompani si Porche dhe Mercedes, kanë mbështetur këtë linjë të ndjekur nga klubi.
Situata është e ndërlikuar për Bayern pasi për momentin Shtutgart nuk ka nevojë për të shitur lojtarë. Hyrja e Porche me aksione i ka sjellë klubit 100 milionë euro ndërsa edhe premio e UEFA-s nga pjesëmarrja në Champions janë një garanci e fortë për bordin në negociatën për Woltemade.