Festivali vazhdon pas zjarrit, thonë organizatorët e Tomorrowland

- Bota Sot

Festivali vazhdon pas zjarrit, thonë organizatorët e Tomorrowland

Dhjetëra mijëra kampistë kanë mbërritur në Tomorrowland në Belgjikë, një ditë pasi një zjarr shkatërroi skenën kryesore të festivalit.

Organizatorët e festivalit kanë këmbëngulur se ngjarja në qytetin Boom, në jug të Anvers, do të vazhdojë pa skenën kryesore, duke shtuar se janë “të përqendruar në gjetjen e zgjidhjeve”.

Askush nuk është lënduar nga zjarri i mbrëmjes së mërkurës dhe ekspertët po punojnë për të përcaktuar shkakun, raporton BBC.

Festivali i muzikës elektronike pritet të nisë të premten, me rreth 400 mijë persona që pritet të marrin pjesë gjatë dy fundjavave. Qindra artistë, përfshirë David Guetta, Lost Frequencies, Swedish House Mafia dhe Charlotte De Witte pritet të performojnë.

Shërbimi lokal i zjarrfikësve ka deklaruar se zona është e sigurt dhe tani do të merret një vendim nëse struktura duhet të prishet para se të fillojë festivali të premten. Kampi, i njohur si DreamVille, është hapur dhe deri tani organizatorët thonë se ngjarja e kësaj fundjave do të vazhdojë. Në postimin e tyre të fundit në Instagram të enjten, Tomorrowland shkroi: “Është e pamundur të përshkruajmë me fjalë atë që ndiejmë”.

Shtuan se skena kryesore Orbyz “nuk ishte thjesht një skenë… ishte një botë që jetonte dhe merrte frymë”.

Organizatorët thanë se kishin punuar gjatë gjithë natës për të gjetur zgjidhje. Një takim u mbajt me ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të qeverisë lokale të enjten në mëngjes për të diskutuar një plan të mundshëm.

Kryetari i komunës Rumst, në veri të Boom, tha për mediat lokale se një takim tjetër për të diskutuar ide të tjera si alternativë për skenën kryesore do të mbahet në pasdite.

“Anulimi i festivalit është gjëja e fundit që duam të bëjmë”, tha Jurgen Callaerts. Ka edhe 14 skena të tjera në festival, të gjitha shumë më të vogla se skena kryesore, raporton KosovaPress.



Lexoni të gjitha në Bota Sot