Në Vërmicë Dogana e Kosovës arreston një zyrtar dhe një transportues mallrash për kontrabandë dhe keqpërdorim të detyre

- Gazeta e Prizrenit

Në Vërmicë Dogana e Kosovës arreston një zyrtar dhe një transportues mallrash për kontrabandë dhe keqpërdorim të detyre

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në Pikën Kufitare Vërmicë kanë realizuar me sukses një plan operativ me qëllim të parandalimit të kontrabandës së mallrave.

Gjatë këtij operacioni është identifikuar dhe parandaluar një tentim kontrabande me mallra të dyshuara si të falsifikuara – konkretisht mbathje sportive me marka të mbrojtura.

Pas zbulimit të këtij rasti, janë njoftuar Hetuesit e Doganës së Kosovës të cilët, në koordinim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme.

Nga veprimet hetimore janë siguruar prova të mjaftueshme që vërtetojnë se zyrtari doganor, gjatë ushtrimit të detyrës, ka dështuar të përmbushë obligimet ligjore, duke mundësuar hyrjen e këtyre mallrave në territorin e Kosovës pa kontroll dhe duke shmangur pagesën e detyrimeve doganore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas përfundimit të procedurave hetimore dhe intervistimit të personave të dyshuar, janë ndaluar për 48 orë:

• Zyrtari doganor për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”,

• Vozitësi i automjetit transportues për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore”.

Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj të plotë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e tregut të brendshëm dhe integritetin e institucionit, duke ndjekur penalisht të gjitha rastet e abuzimit me detyrë dhe veprimtaritë e paligjshme që dëmtojnë ekonominë e vendit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit