Klubi i Vorës do të vijojë përgatitjet për sezonin e ri në Ohër, ku nga e hëna do të nisë punën e mirëfilltë nën urdhrin e trajnerit Arjan Bellaj. Debutuesit në Superiore duan të bëjnë sa më mirë në elitë dhe për këtë arsye, kanë vendosur pikërisht të zhvendosen pranë liqenit në kushte sa më të përshtatshme.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, Vora ka planifikuar edhe ndeshje miqësore, për të parë gjendjen e skuadrës. Ndaj Besës do të luhet këtë të shtunë në Shijak.
Vetë klubi bëri të ditur se janë edhe tre të tjera të programuara më pas, që nisin me një përballje me rivalët në Superiore të Teutës, për të vazhduar me FC Arsimin dhe Shkupin, dy skuadrat e kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj periudhe, skuadrës pritet t’i afrohen disa futbollistë të tjerë, që trajneri Bellaj do të ketë mundësinë t’i shohë në veprim pikërisht në këto ndeshje në fazën përgatitore.
Po kështu, Vora është gati të prezantojë afrimin më të ri në këtë merkato vere.
Burime bëjnë me dije se Uallas Almeida, mesfushor 24-vjeçar brazilian, do të jetë sot në zyrat e klubit për të firmosur dhe zyrtarizuar kalimin e tij te skuadra shqiptare. Uallas shihet si një lojtar me shumë potencial, me formim në një nga akademitë më prestigjioze të Brazilit, atë të Fluminense.
Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në vendin e tij, ndërkohë që aventurën e parë jashtë Brazilit e ka pasur në Iran, ku luajti për Chadormalu për një periudhë 6-mujore, përpara se të rikthehej në atdhe për të mbyllur sezonin me Volta Redonda.