Pas një sezoni jo shumë aktiv në Shqipëri, Jazan Madani pritet të jetë largimi i radhës nga kampionët në fuqi të Superiores, Egnatia. Sipas mediave në Arabinë Saudite, mbrojtësi 20-vjeçar është pranë rikthimit te Al Ahli, klubi që zotëron kartonin e tij.
Madani nuk ishte i grumbulluar për turin e parë të Ligës së Kampionëve, çka shtoi dyshimet për të ardhmen e tij në Rrogozhinë. Megjithëse erdhi si një talent premtues dhe firmosi kontratë afatgjatë deri në vitin 2027, kontributi i tij në fushë ka qenë minimal: vetëm dy paraqitje në kampionat gjatë gjithë sezonit të kaluar.
Transferimi i tij te Egnatia u pa si një hap për të fituar eksperiencë në një ligë europiane, por pritshmëritë nuk u përmbushën, dhe tashmë gjithçka duket se po shkon drejt një përfundimi të parakohshëm.
Nëse gjithçka konkretizohet, Madani do të rikthehet në Arabinë Saudite pas vetëm një viti, duke mbyllur një aventurë të shkurtër me kampionët shqiptarë.