Trajneri i ri i Polonisë synon rikthimin e Lewandowski

- Bota Sot

Trajneri i ri i Polonisë synon rikthimin e Lewandowski

Trajneri i ri i Polonisë, Jan Urban, ka deklaruar se prioriteti i tij i menjëhershëm është bindja e sulmuesit Robert Lewandowski për t’u rikthyer në Kombëtare.

Urban është emëruar të mërkurën në vend të Michal Probierz, i cili ka dhënë dorëheqjen në qershor pas vendimit për t’ia hequr Lewandowski shiritin e kapitenit.

Polonia aktualisht renditet e treta në grupin kualifikues për Kupën e Botës, pas Finlandës dhe Holandës, ndërsa sulmuesi i Barcelonës konsiderohet shumë i rëndësishëm për shpresat e ekipit që të arrijë në turneun e ardhshëm.

“Do të bëj gjithçka që është e mundur që Robert të rikthehet, sepse e dimë në çfarë situate ndodhet futbolli polak”, ka thënë Urban para gazetarëve të enjten.

Lewandowski është golashënuesi më i mirë në histori të Polonisë me tetëdhjetë e pesë gola në 158 ndeshje.

“Në këtë moment, nuk mund të përballojmë që ta kemi ekipin pa Robertin”, ka shtuar trajneri i ri.

Ndeshja e radhës e Polonisë në kualifikueset e Botërorit do të jetë më 4 shtator, në transfertë kundër Holandës, ndërsa tri ditë më vonë do të presin Finlandën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot