Sipas burimeve të afërta me klubin turk të Galatasarayt, janë shënuar përparime të rëndësishme në tratativat me Napolin për transferimin e Victor Osimhen në Stamboll.
Negociatat mes palëve kanë hyrë në fazën përfundimtare, me disa detaje të reja që mund të ndikojnë pozitivisht në mbylljen e marrëveshjes.
Një nga kushtet kryesore që Napoli kërkonte është klauzola “anti-Itali”, e cila ndalon shitjen e sulmuesit nigerian në një klub tjetër të Serie A.
Kjo klauzolë është pranuar nga Galatasaray dhe do të ketë një vlefshmëri dyvjeçare, jo tre siç ishte parashikuar më parë.
Një tjetër pikë e rëndësishme që është zgjidhur është përqindja nga një shitje e mundshme në të ardhmen: Napoli do të përfitojë 10% të shumës nëse Galatasaray vendos ta shesë Osimhen më vonë.
Kjo ishte pikërisht përqindja që presidenti Aurelio De Laurentiis kishte kërkuar që në fillim të bisedimeve.
Oferta turke parashikon një pagesë fikse mbi 40 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e klauzolës, që kap vlerën e 35 milionë eurove, do të shpërndahet në disa këste gjatë viteve të ardhshme. Me garancitë bankare që Napoli ka kërkuar vazhdimisht, marrëveshja ka tani më shumë gjasa për të marrë dritën jeshile.