Juventusi nuk po heq dorë nga pista për Jadon Sancho dhe në orët e fundit ka paraqitur një ofertë të re për Mançester Junajtidin, që kërkon 25 milionë euro për të lënë të largohet sulmuesi anglez.
Sipas gazetarit Alfredo Pedula, bardhezinjtë kanë rritur ofertën e tyre në 15 milionë sterlina (rreth 17.3 milionë euro), një ofertë që ka marrë edhe miratimin e vetë lojtarit.
Megjithatë, për të realizuar këtë transferim, është e nevojshme që Juventusi të largojë një lojtar tjetër, konkretisht Niko Gonzalezin, sulmuesin argjentinas.
Klubi saudit Al Ahli ka ofruar 30 milionë euro për Gonzalez, një shumë mjaft tërheqëse që do të ndihmojë Juventus të mbulojë shpenzimet që bëri një vit më parë për ta sjellë atë në Torino (33 milionë euro për të siguruar huazimin dhe blerjen e tij nga Fiorentina).
Edhe pse Gonzalez ka qenë më i rezervuar në lidhje me mundësinë e kalimit në një klub tjetër, duket se tani është i hapur për të shqyrtuar ofertën saudite, duke përfshirë edhe mundësinë për t’u larguar nga Torino.
Ndërkohë, plani i trajnerit të Juventusit, Igor Tudor, është të krijojë një sulm dinamik dhe të paparashikueshëm duke formuar një partneritet të fuqishëm midis Jadon Sanchos dhe Fransisko Konseisaos.
I gjithë procesi është thuajse i mbyllur për transferimin e Konseisaos nga Porto, me një marrëveshje të përfunduar për 32 milionë euro, dy milionë më shumë se klauzola e tij e shkëputjes prej 30 milionë eurosh.
Në total, ky transferim arrin në rreth 40 milionë euro, duke përfshirë edhe 9.5 milionë eurot që Juventusi pagoi për huazimin e tij vitin e kaluar.