Atalanta ka refuzuar ofertën e parë prej 40 milionë eurosh nga Interi për sulmuesin nigerian Ademola Lookman, por kjo nuk i ka dekurajuar drejtuesit zikaltër, Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio.
Objektivi i Interit është i qartë: të transferojë 26-vjeçarin në Milano.
Në favor të Interit është edhe vetë lojtari, i cili ka shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient dhe i kujton drejtuesve të Atalantës një marrëveshje verbale të verës së kaluar. Kur për Lookman ishte interesuar PSG, familja Percassi i kishte premtuar se do ta lironin pas një viti nëse vinte një ofertë e rëndësishme nga një klub i madh.
Ndërkohë që Interi ka arritur një marrëveshje personale me futbollistin për një kontratë pesëvjeçare me pagë 4 milionë euro në sezon, Atalanta kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja.
Çmimi është vendosur në 50 milionë euro dhe shpresa e bergamaskëve është që Atletico Madrid të rihyjë në garë për të krijuar një ankand mes klubeve të interesuara.
Një pengesë e mundshme mund të jetë dëmtimi që Lookman pësoi në stërvitje të enjten në Zingonia. Sipas burimeve pranë stafit të trajnerit Ivan Juric, ekziston frika për një shqetësim muskulor në pulpë. Në orët në vijim do të kryhen ekzaminimet mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Atalanta, nga ana tjetër, kërkon ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje për të shmangur një rast tjetër si ai i Koopmeiners, i cili përfundoi te Juventusi pas javësh negociatash të zvarritura.