Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë të ditur se ka bërë kallëzim penal në polici ndaj kryetarit të Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës, Flamur Hysenit.
Ai për KosovaPress thotë se Hyseni e ka falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të Etikës dhe e ka shkruar vendimin bashkë me një kolege tjetër, ashtu siç kanë dashur vetë, meqë një nga anëtarët e ka lëshuar mbledhjen dhe dy të tjerë kanë kundërshtuar,
Hasani: Kam bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Këshillit të Etikës, Flamur Hysenit
“Kam bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Këshillit të Etikës, Flamur Hysenit… Thashë në polici që është aktivitet i strukturuar kriminal i katër-pesë vetave…Flamuri i ka falsifikuar procesverbalin e Këshillit të Etikës, e ka shkruar një vendim qysh ka dashur vetë, pa i pasur pesë vetë. Njëri ka dalë jashtë se ka pas konflikt interesi, dy të tjerë e kanë kontestuar, e Flamuri bashkë me asistenten e z. Puka e kanë shkruar siç kanë dashtë vendimin, që është i njëjtë siç a ka bërë Eset Morina. Kjo është paligjshmi totale me ma mbyllë gojën”, ka thënë Hasani.
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim që profesorit të Fakultetit Juridik, Enver Hasani, t’i shqiptojë vërejtje me shkrim dhe mohim të përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për një vit vijues. Vendimi final i përket Senatit lidhur me këtë.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me kryesuesin e Këshillit të Etikës, Flamuri Hyseni, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e KosovaPress.