Dy tërmete të fuqishme në Rusi, paralajmërohet cunami

- Bota Sot

Dy tërmete të fuqishme në Rusi, paralajmërohet cunami

Dy tërmete të fuqishme goditën mëngjesin e sotëm, 20 korrik, brigjet lindore të Rusisë, ndërsa autoritetet paralajmëruan një cunami në rajonin e Kamchatka.

Tërmeti më i madh u regjistrua me magnitudë 7.4, në një thellësi prej vetëm 20 kilometrash nën sipërfaqen e detit, rreth 140 kilometra larg qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky.

Ndërsa tërmeti tjetër u regjistrua me magnitudë 6.7, të njëjtën zonë, me pak minuta diferencë.

Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se një cunami pritet të godasë zonën e Aleutskyt. Ekipet e emergjencës janë vënë në gatishmëri, ndërsa paslëkundjet e vazhdueshme po tronditin rajonin.

Ndërkohë, edhe Hawaii u vendos në një vëzhgim të përkohshëm për cunami nga Qendra e Paralajmërimeve të Paqësorit, por paralajmërimi u anulua disa orë më vonë nga autoritetet amerikane.

Kamchatka ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë në formë patkoi që shtrihet përgjatë Oqeanit Paqësor dhe që njihet si një nga rajonet më aktive në botë për tërmete dhe vullkane.

Pozicioni i saj bregdetar e bën këtë rajon shumë të ndjeshëm ndaj cunameve që shkaktohen nga tërmetet nënujore, siç ndodhi edhe këtë herë, duke ngritur shqetësime për të gjitha vendet përreth Oqeanit Paqësor, përfshirë edhe Hawaii, megjithëse ndodhet mijëra kilometra larg.



Lexoni të gjitha në Bota Sot