Pas propozimit romantik verën e kaluar, mbrojtësi i Interit e reprezentuesi i Francës, Benjamin Pavard, kurorëzoi dashurinë e tij me modelen, aktoren franko-kosovare Kleofina Pnishi, në një dasmë elegante dhe të rezervuar, larg vëmendjes mediatike.
Çifti zgjodhi një vend magjepsës për ceremoninë fetare: Abacinë e Trinisë së Shenjtë në Cava de’ Tirreni, në provincën e Salernos, ku u zhvillua një shërbesë intime me pjesëmarrjen e familjes, miqve të ngushtë dhe disa kolegëve të futbollistit francez.
Në mesin e të ftuarve u panë emra të njohur të futbollit si Nicolò Barella, Jamal Musiala i Bayern Munich dhe bashkëkombasit Kingsley Coman, Lucas dhe Theo Hernandez – ky i fundit sapo u largua nga seria A pas disa sezonesh me Milanin.
Pas ceremonisë, të sapomartuarit u larguan me një Mercedes 190 SL klasik, duke ndaluar shkurtimisht në Hotel Scapolatiello, një hotel historik në zemër të Cavës, afër abacisë.
Më pas, Pavard dhe Kleofina udhëtuan së bashku me të afërm e miq drejt Gardens of Fuenti, në bregdetin e mrekullueshëm të Amalfisë, në jug të Italisë, ku nisi festa e vërtetë.