Xavi Simons angazhon agjentin e tij të nisë bisedimet me Chelsean

- Bota Sot

Xavi Simons angazhon agjentin e tij të nisë bisedimet me Chelsean

Chelsea ka marrë një avantazh të rëndësishëm në garën për të transferuar Xavi Simons, i cili synon të largohet nga RB Leipzig pas dështimit të klubit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Londinezët janë lidhur së fundmi me disa emra për repartin ofensivë ku mes profileve të përmendura janë Morgan Rogers, Mohammed Kudus dhe Eberechi Eze,  të gjithë lojtarë të aftë për të mbuluar disa pozicione. Tani, edhe emri i Xavi Simons është shtuar në këtë listë.

Simons është cilësuar si një nga talentet më të mëdhenj në Bundesligë dhe është tashmë pjesë e rregullt e ekipit kombëtar të Holandës. Ai thuhet se dëshiron të largohet nga Leipzig pas sezonit të dobët të skuadrës, që përfundoi në vendin e shtatë.

Edhe pse Simons iu bashkua Leipzigut në mënyrë të përhershme vetëm në janar, ai tashmë po kërkon një dalje. Klubi gjerman kërkon rreth 80 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa lojtari duket se ka zgjedhur Ligën Premier si destinacionin e preferuar.

Sipas BILD, Simons ka angazhuar agjentin Ali Barat për të ndihmuar në negociatat, me Chelsean si destinacionin kryesor të synuar nga holandezi.

Në garë për lojtarin ishin edhe Barcelona dhe Bayern Munich, por problemi qëndron te klauzola e lirimit të lojtarit nga Leipzig e cila është 80 milionë euro.

Nëse realizohet, transferimi do të ishte një goditje e madhe për “Blutë”. Megjithatë, ekzistojnë edhe rreziqe, sidomos duke pasur parasysh çmimin e lartë dhe historikun e pasuksesshëm të disa lojtarëve të transferuar nga Bundesliga në ‘Stamford Bridge’.

Tani mbetet për t’u parë nëse Chelsea do të ndërmarrë një hap konkret për të siguruar shërbimet e Simons. Nëse e realizojnë, mund të jetë një nga goditjet më të bujshme të verës. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot