Mësimi për të dashur Rusinë nis herët për fëmijët në zonat e pushtuara të Ukrainës lindore. Në një çerdhe në Luhansk, më shumë se 70 fëmijë rreshtohen duke mbajtur një pankartë të gjatë ushtarake ruse në ngjyrat e zeza dhe portokalli në formën e shkronjës Z (simboli i pushtimit rus të Ukrainës).
Në anën tjetër të qytetit, shtatë vajza të vogla kërcejnë dhe bëjnë gjeste para flamurit rus me këngën “Jemi rusë” që shpërthen nga altoparlantët. Kur kënga mbaron, ato brohorasin njëzëri: “Jemi rusë!”
Në një qytet të pushtuar të quajtur Anthracite, fëmijët e çerdheve kanë përgatitur qirinj dhe batanije për ushtarët rusë. E gjitha kjo është pjesë e një fushate për të fshirë identitetin kombëtar të Ukrainës dhe për të kthyer fëmijët kundër vendit të tyre.
Për ta arritur këtë me fëmijët, duhen mësues dhe meqë shumë mësues ukrainas janë larguar, qeveria në Moskë ka filluar të ofrojë 2 milionë rubla (rreth 18 mijë e 500 paundë) për çdo mësues rus që pranon të zhvendoset në zonat e pushtuara të Ukrainës.
Organizata më e madhe dhe më e fuqishme ruse që merret me fëmijët është Yunarmia (Ushtria Rinore), e cila është e lidhur me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes dhe pranon anëtarë që nga mosha tetë vjeç. Ajo tashmë operon në të gjitha zonat e Rusisë dhe ka degë edhe në territorin e pushtuar të Ukrainës.
Fidail Bikbulatov, i dërguar nga rajoni Bashkortostan i Rusisë për të drejtuar seksionin e Yunarmia-s në rajonin e Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës, thotë:
“Po u ofrojmë fëmijëve disa aftësi bazë që do t’u hyjnë në punë nëse vendosin të bashkohen me ushtrinë.”
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Yunarmia-s dhe vetë Bikbulatov-it për “ushtarizimin e fëmijëve ukrainas”. Britania e Madhe e ka përfshirë gjithashtu në listën e sanksioneve si pjesë e fushatës ruse për “shpëlarje truri” të fëmijëve ukrainas.
Por Yunarmia nuk është e vetme. Organizata të tjera të sponsorizuara nga shteti rus si “Lëvizja e të Parëve” dhe “Luftëtari” janë futur gjithashtu në zonat e pushtuara të Ukrainës.
Këto qendra, të krijuara me urdhër të Presidentit Putin, ofrojnë trajnim ushtarak dhe “arsim patriotik” për të rinjtë.
Ata organizojnë gara si lojërat Zarnitsa, me rrënjë në epokën sovjetike, ku fëmijët duhet të tregojnë njohuri ushtarake, histori të shtetit rus dhe aftësi përdorimi të armëve.
Në të gjitha nivelet arsimore, fëmijët mësojnë sipas kurrikulës ruse, me libra që justifikojnë pushtimin e Ukrainës dhe hedhin poshtë ekzistencën e saj si shtet të pavarur.
Një prej librave të tillë paraqet Ukrainën si një krijesë të Perëndimit për të sfiduar Rusinë, duke pretenduar se civilizimi njerëzor mund të kishte marrë fund nëse Rusia nuk do të kishte pushtuar Ukrainën në vitin 2022.
Lisa, një ish-nxënëse në Donetsk, thotë se studentët ishin të detyruar të merrnin pjesë në aktivitete që festonin Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik.
“Kur përgatitnin ndonjë paradë, unë, e gjithë klasa dhe viti shkollor duhej të shkonim çdo fundjavë për të stërvitur. Duhej të mbanim postera. Nuk mund të thosha jo, nuk ishte zgjedhja ime. Më thanë që duhet ta bëja për t’u diplomuar,” thotë ajo.
“Çdo mëngjes, sapo fillonin mësimet, mësuesja na bënte të ngriheshim në këmbë, të vendosnim dorën në zemër dhe të dëgjonim himnin rus, të cilin duhej ta mësonim përmendësh.”
Lisa tani jeton në SHBA dhe ka ndarë përvojat e saj në TikTok.
Edhe ushtarët rusë luajnë rol në këtë fushatë indoktrinimi, duke vizituar shkollat për të dhënë të ashtuquajturat “mësime trimërie”, ku lavdërojnë luftën dhe i paraqesin forcat ukrainase si neofashiste të dhunshme.
Pavel Tropkin, zyrtar i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar, tani i vendosur në rajonin e pushtuar të Khersonit, thotë se këto mësime zhvillohen “që fëmijët të kuptojnë qëllimet e operacionit special ushtarak” të Kremlinit.
Jashtë shkollës, fëmijët ukrainas dërgohen në ekspozita që lavdërojnë Rusinë dhe operacionin ushtarak special. Një qendër në Melitopol mban ekspozita si “Rusia – Historia Ime” dhe “Herojtë e Operacionit Special Ushtarak”.
Për më tepër, Kremlini ka filluar një fushatë të madhe për t’i çuar fëmijët ukrainas në turne në Rusi, për të nxitur ndjenjat pro-ruse.
Ministrja ruse e kulturës Olga Lyubimova pohon se më shumë se 20 mijë fëmijë nga territoret e pushtuara janë marrë në Rusi vetëm përmes programit “4+85”, që sipas agjencisë shtetërore Rosconcert ka për qëllim “integrimin e brezit të ri në një shoqëri të bashkuar ruse”.
Por kjo fushatë “integrimi” shkon shumë përtej indoktrinimit.
Mijëra fëmijë ukrainas të marrë në Rusi gjatë tre viteve të pushtimit të plotë nuk janë lejuar të kthehen.
Sipas qeverisë ukrainase, mbi 19 mijë fëmijë janë deportuar me forcë në Rusi. Qeveria britanike vlerëson se rreth 6 mijë fëmijë janë dërguar në një rrjet kampesh “riedukimi” në Rusi.
Ligji ndërkombëtar humanitar ndalon veprime të tilla. Konventa e Katërt e Gjenevës ndalon një fuqi pushtuese të rekrutojë fëmijë në formacione ushtarake dhe të përdorë propagandë për t’i shtyrë ata të bashkohen me forcat e saj.
Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) nxori një urdhër arresti për Presidentin Putin, pjesërisht për deportimin e paligjshëm të fëmijëve. Putini dhe qeveria e tij e mohojnë këtë akuzë.
Duke zhvilluar luftën kundër Ukrainës, Rusia nuk kërkon vetëm tokë, ajo po përpiqet të lërë gjurmën e saj edhe mbi njerëzit që jetojnë aty, sado të vegjël që të jenë.