Fisnik Asllani me synime të mëdha te Hoffenheimi

- Bota Sot

Fisnik Asllani me synime të mëdha te Hoffenheimi

Fisnik Asllani bëri vetëm një paraqitje të shkurtër në miqësoren hapëse të së shtunës ndaj ish-klubit të tij Elversberg (5:2), por situata pritet të ndryshojë së shpejti.

Pas dy huazimeve te Vienna dhe Elversberg, 22-vjeçari tashmë ka plane serioze për të ardhmen te TSG Hoffenheim.

“Asnjë ndeshje nuk është më e mirë për të nisur sezonin sesa ndaj shokëve dhe kolegëve të mëparshëm.

Ishte kënaqësi, edhe pse nuk zgjati shumë, sepse nuk kam qenë gjatë në stërvitje. Por ishte mirë të luaja sërish për Hoffenheim,” u shpreh ai për “Kicker.de”.

Ai theksoi se skuadra është ende në fazat e para të përgatitjeve, por çdo ndeshje shërben si mësim. Sa i përket përvojës së tij, ai shtoi:

“Kam punuar shumë për këtë. Ndoshta jo shumë njerëz e prisnin, por është fantastike që funksionoi. Nuk dua të flas shumë për të kaluarën; dua të fokusohem në të tashmen dhe të ec përpara.”

Për sezonin e ri, qëllimi kryesor i Asllanit është i qartë: të luajë sa më shumë.

“Dua të kem shumë minuta në fushë – kjo është prioriteti im. Dua ta shijoj futbollin, pikërisht siç bëra sezonin e kaluar në Elversberg. Nuk dua t’i vendos vetes presion shtesë; mjafton ai që vjen nga jashtë.”

Gjithashtu, ai synon të marrë një rol udhëheqës te Hoffenheim, njësoj siç bëri te Elversberg.

“Kam mësuar shumë gjatë vitit të fundit dhe dua ta sjell këtë përvojë këtu për zhvillimin tim personal dhe për ekipin.”

Asllani duket i vendosur që ta shfrytëzojë këtë kapitull të ri për të lënë gjurmë te Hoffenheim – këtë herë si pjesë e rëndësishme e ekipit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot