Gjenerali gjerman paralajmëron se rusët planifikojnë të lëshojnë 2,000 dronë në Ukrainë njëkohësisht

- Bota Sot

Gjenerali gjerman paralajmëron se rusët planifikojnë të lëshojnë 2,000 dronë në Ukrainë njëkohësisht

Gjeneral-majori gjerman Christian Freuding, ka paralajmëruar se Rusia synon të lëshojë njëkohësisht deri në 2,000 dronë në Ukrainë.

Ai këto komente i bëri në podkastin Nachgefragt të Bundeswehrit gjatë të shtunës mbrëma.

Freuding ka informacion se Rusia po zgjeron ndjeshëm kapacitetin e saj të prodhimit, për të mundësuar vendosjen masive të dronëve në luftën kundër Ukrainës.

Ai tha se Moska planifikon të lëshojë 2,000 dronë në të njëjtën kohë, gjë që mund të mbingarkojë sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Gjenerali theksoi nevojën për të zhvilluar “kundërmasa inteligjente”, pasi përdorimi i mjeteve konvencionale – në veçanti, raketave nga sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot – nuk është një përgjigje logjike ndaj dronëve Shahed, të cilët kushtojnë 30,000-50,000 euro, ndërsa një raketë e vetme Patriot kushton mbi 5 milionë euro.

Sipas vlerësimit të Freuding, Ukrainës i duhen zgjidhje me kosto të ulët kundër dronëve me çmim 2,000-4,000 euro për të zmbrapsur në mënyrë efektive sulmet në shkallë të gjerë.

Freuding gjithashtu i përmendi sulmet thellë brenda territorit rus – që synojnë aeroplanë ushtarakë, aeroporte dhe fabrika mbrojtëse – si një përgjigje tjetër të nevojshme ndaj kërcënimit të dronëve.

Ai theksoi më tej se Kina ka ndërprerë furnizimin e pjesëve të dronëve në Ukrainë, dhe tani eksporton ekskluzivisht në Rusi.

“Tani për tani, situata është se Kina në fakt po eksporton vetëm në Rusi, ndërsa Ukraina është përjashtuar nga ky treg”, tha Freuding. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot