Ardon Jashari gjithmonë e më shumë larg Club Brugge. Fantazisti shqiptar i zikaltërve të Brugge, duket se e ka mbyllur përfundimisht aventurën tek belgët. Ditën e diele u zhvillua edhe Superkupa e Belgjikës, aty ku Brugge mposhti 2-1 kampionët e Union Saint-Gilloise, por Jashari nuk ishte as i grumbulluar nga ana e teknikut Nicky Hayen, i cili theksoi se Jashari do t’i bashkohet pjesës tjetër të grupit vetëm këtë të hënë.
Një nisje e grumbullimit që mund të rezultojë të ndërpritet në mes, kjo pasi është vetë Jashari që vijon me anë të agjentëve të tij të kërkojë me ngulm transferimin në Serie A tek Milan, me kuqezinjtë që janë në “dritare” dhe janë në përpjekje prej më shumë se 1 muaji, për ti dhuruar teknikut Allegri fantazisti që ai kërkon.
32.5 mln euro plus 5.5 mln të tjera në formë bonusesh është oferta e klubit milanez e cila për momentin është refuzuar nga Brugge, megjithatë palët mund të rinisin shumë shpejtë kontaktet për Jasharin.
Ndërkohë vijon ndjekja e kuqezinjve për anësorin e krahut të djathtë Pervis Estupinan. 12 mln eurot e ofertës së parë janë refuzuar nga ekipi i Brighton, por Milan nuk heq dorë kollaj.
Sikundër raporton ditën e sotme “La Gazzetta dello Sport”, Milan kërkon me ngulm që krahas Jasharit ti dhurojnë Max Allegrit edhe Estupianin. Oferta e dytë pritet të vijë shumë shpejt me Milan, që me shumë gjasa mund të ngrejë ofertën në 15 mln euro.