Nga rasti tragjik në Gjakovë ku dy punëtorë ndërtimi humbën jetën pasi ranë nga lartësia e objektit në ndërtim, në polici janë shoqëruar dy persona për intervistim.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Policisë rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Dy persona janë shoqëruar në rajonin e Policisë, dhe janë duke u intervistuar”, tha Graishta.
Edhe nga Prokuroria Themelore në rajonin e Gjakovës në një përgjigje dërguar Telegrafit kanë bërë të ditur se trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.
“Lidhur me rastin në fjalë, jemi njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori Kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektori i Punës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast. Për më të rejat lidhur me rastin do të ju mbajmë të informuar me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Ndërkaq, dy persona (punëtorë) kanë humbur jetën sot rreth orës 08:00 pasi dyshohet se kanë rënë lartësia e një objekti në ndërtim në Gjakovë.