Sharjah FC kërkon Rey Manajn, Sivasspor refuzon ofertën e parë

- Bota Sot

Sharjah FC kërkon Rey Manajn, Sivasspor refuzon ofertën e parë

Mediet turke raportojnë se sulmuesi i Sivassporit, Rey Manaj, ka ngjallur interes nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Klubi Sharjah FC ka bërë një ofertë zyrtare prej 1.5 milionë dollarësh për sulmuesin shqiptar.

Skuadra nga Emiratet, që synon të përforcojë repartin ofensiv për sezonin e ri, ka vendosur Manajn si një nga objektivat kryesorë për merkaton aktuale.

Sipas burimeve të afërta me negociatat, Sharjah FC ka bërë ofertën pa liruar ende vend në kuotën e lojtarëve të huaj.

Megjithatë, drejtuesit e Sivassporit nuk janë të gatshëm të lëshojnë lehtësisht sulmuesin që shkëlqeu gjatë sezonit 2023-2024, duke u bërë një nga lojtarët kyç të skuadrës.

Klubi turk kërkon rreth 3 milionë euro për të pranuar shitjen e sulmuesit shqiptar dhe nuk e konsideron ofertën aktuale si të mjaftueshme.

Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa e ardhmja e Manajt do të varet nga rrjedha e bisedimeve dhe gatishmëria e Sharjah FC për të përmirësuar ofertën.

Samsunspori heq nga lista e objektivave Rey Manajn

Së fundmi, në rrjetet sociale është përfolur emri i sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, si një objektiv i mundshëm për Samsunsporin. Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit turk, Manaj nuk është pjesë e planeve aktuale të drejtuesve të klubit.

Samsunspori, i cili po punon intensivisht për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri, vazhdon me kujdes punën në merkato.

Pavarësisht thashethemeve, burime të brendshme sqarojnë se drejtuesit, përfshirë presidentin Yüksel Yıldırım dhe komitetin e transferimeve, po veprojnë duke marrë parasysh kufizimet buxhetore dhe rregullat për numrin e lojtarëve të huaj.

Për këtë arsye, klubi është i përqendruar në afrimin e lojtarëve që mund të sjellin vërtet vlerë të shtuar në skuadër, dhe aktualisht emri i Rey Manajt nuk është në listën prioritare.

Samsunspori mbetet aktiv në tregun e transferimeve, por me një strategji të qartë dhe të matur, që synon ndërtimin e një skuadre konkurruese brenda kufijve të vendosur nga federata dhe buxheti i klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot