Alonso ende nuk ka marrë vendim rreth të ardhmes së 21-vjeçarit

- Bota Sot

Alonso ende nuk ka marrë vendim rreth të ardhmes së 21-vjeçarit

Real Madrid tani janë të fokusuar te largimet, pasi skuadra e parë me 25 lojtarë është e plotësuar pas ardhjes së Alvaro Carreras nga Benfica. Ka disa lojtarë që mund të largohen para fundit të afatit kalimtar të verës, dhe njëri prej tyre mund të jetë Gonzalo Garcia.

Gonzalo ishte një zbulim për Real Madridin në Kupën e Botës për Klube, ku shënoi katër gola dhe dha një asist në gjashtë paraqitje në Shtetet e Bashkuara. Ai la përshtypje te Xabi Alonso, por kjo mund të mos mjaftojë për ta mbajtur në ekip për sezonin 2025-26.

Sipas “Diario AS”, Alonso ende nuk ka vendosur nëse do ta mbajë Gonzalon në skuadër. Nëse vendos ndryshe, atëherë do të kërkohet një largim për 21-vjeçarin, i cili nuk do të rikthehet te Castilla.

Alonso pritet të ketë shumë opsione sulmuese për sezonin e ardhshëm. Kylian Mbappe, Endrick Felipe dhe Gonzalo janë tre sulmuesit natyralë të tij, por edhe emra si Vinicius Junior, Rodrygo Goes dhe Franco Mastantuono mund të luajnë në atë pozitë.

Për këtë arsye, ekziston mundësia që njëri mes Endrick apo Gonzalo të largohet. Meqë Endrick nuk ka në plan të largohet, atëherë heroi i Real Madridit në Kupën e Botës për Klube mund të jetë ai që do të largohet – çka do të kishte kuptim duke parë interesimin e madh që ka pasur për të javët e fundit.

Gonzalo është lidhur me një transferim të përhershëm në Premier League, por nëse largohet nga Real Madridi, pritshmëria është që ai të huazohet te Getafe. Së fundmi, presidenti Angel Torres zbuloi se të dy klubet kanë një marrëveshje për transferimin e sulmuesit të ri në rast se vendoset që ai të largohet gjatë këtij afati kalimtar.

Mbetet për t’u parë nëse Gonzalo do të largohet këtë verë, por duke qenë se ai është një profil krejt ndryshe nga Mbappe, do të kishte kuptim që Alonso ta mbajë – gjë që do të ishte një goditje për Getafen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot