Kylian Mbappe pritet së shpejti të nisë të veshë fanellën ikonike me numër 10 te Real Madridi, sipas gazetës spanjolle “Marca”.
Numri 10 është i njohur për Mbappe-n, pasi e ka mbajtur si me përfaqësuesen e Francës, ashtu edhe me Paris Saint-Germain. Por te Reali, për shkak se Luka Modric ishte pronari i këtij numri, ylli francez mori fanellën me numër 9 në prezantimin e tij në verën e vitit 2024. Pavarësisht ndryshimit, ai nuk zhgënjeu – duke shënuar 43 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë në La Liga dhe fitues i Këpucës së Artë Evropiane.
Megjithatë, kjo ndërrim numri nuk po bëhet me kërkesë të vetë Mbappe-së, por është një vendim i klubit. “Do të ishte një përditësim i imazhit personal dhe atij të klubit për një lojtar që, përveç paraqitjeve në fushë, është një makinë të ardhurash për klubin në aspektin e të drejtave të imazhit. Dhe në këtë aspekt, trashëgimi i numrit 10 nga Modric, një fitues i ‘Topit të Artë’, do ta fuqizonte markën e tij në çdo drejtim,” shkruan gazeta madrilene.
Aktualisht, Mbappe është në fazë rikuperimi nga një problem me gastroenteritin, që e detyroi të mungojë në ndeshjet e para të Kampionatit Botëror për Klube. Raportohet se ai ka humbur rreth 5-6 kilogramë gjatë kësaj periudhe.
Mbappe u prezantua si lojtar i Real Madridit në korrik 2024, përpara më shumë se 25,000 tifozëve në stadiumin “Santiago Bernabéu”. Ai u përshëndet nga presidenti Florentino Pérez dhe legjenda Zinedine Zidane – i cili ishte ndër të parët që e kishte ftuar Mbappe-n në Madrid kur ishte ende adoleshent.
“Është një ditë e pabesueshme për mua. Që i vogël kam ëndërruar të luaj për Real Madridin dhe sot jam këtu. Do të thotë shumë për mua,” deklaroi Mbappe atëherë. Në ekranet e mëdha të stadiumit shkëlqeu mesazhi “Mirësevjen, Mbappé”, ndërsa në sfond luhej “Nessun Dorma”. U shfaqën edhe momente nga karriera e tij dhe imazhe ku ai shihej me fanellën e Realit që në fëmijëri, përfshirë edhe një foto me idhullin e tij, Cristiano Ronaldo.