Mirel Josa zyrtarizohet si trajner i ri i Bylisit

- Bota Sot

Mirel Josa zyrtarizohet si trajner i ri i Bylisit

Bylisi ka bërë një lëvizje të rëndësishme në pankinë, duke konfirmuar emërimin e Mirel Josës si trajner i ri për sezonin 2025-26.

Klubi ballshiot ka ndarë rrugët me Gentian Mezanin në mënyrë konsensuale, për shkak të angazhimeve familjare të këtij të fundit dhe ka zgjedhur një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar për ta zëvendësuar.

Tekniku me më shumë trofe në historinë e futbollit shqiptar do të udhëheqë Bylisin në sezonin e ardhshëm, duke hapur kështu kapitullin e 21-të në karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. Me 12 trofe të fituar, pesë tituj kampion, katër Kupa të Shqipërisë dhe tre Superkupa, Josa rikthehet në elitën e futbollit shqiptar me ambicie të reja.

“Trajneri i ri do të prezantohet para skuadrës dhe do të nisë menjëherë nga puna. I urojmë mirëseardhjen Mirel Josës, ndërkohë që falënderojmë Gentian Mezanin për punën e mirë që ka bërë në skuadrën tonë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e klubit.

Pas një sezoni të vështirë, ku Bylis shpëtoi nga rënia vetëm në javët e fundit të Superligës, ballshiotët synojnë ta lënë pas periudhën e pasigurisë dhe të ndërtojnë një skuadër më konkurruese. Emërimi i Josës pritet të sjellë jo vetëm ndryshime në organikën e lojtarëve, por edhe në stilin e lojës dhe filozofinë e skuadrës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot