Juventusi është shumë pranë përfundimit të marrëveshjes për qëndrimin e Francisco Conceicao-s në Torino.
Anësori portugez, që sezonin e kaluar zhvilloi paraqitje të mira nën drejtimin e Thiago Mottës fillimisht dhe më pas të Igor Tudor-it, ka bindur drejtuesit bardhezi për ta bërë pjesë të projektit afatgjatë.
Me 40 ndeshje të luajtura dhe një total prej 2.277 minutash mes kampionatit dhe kompeticioneve të tjera, Conceiçao ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 6 asistime. Këto statistika i kanë dhënë drejtuesve të Juventusit besimin për ta konsideruar si një “blerje të re” për sezonin 2025-26.
Sipas “Tuttosport”, negociatat me Porton nuk kanë qenë të lehta, pasi klubi portugez nuk ishte i gatshëm të lëshonte pe për vlerën e klauzolës së lojtarit. Megjithatë, palët janë shumë pranë një marrëveshjeje përfundimtare, që do të sjellë një “marrëveshje e bardhë” për kalimin e plotë të lojtarit te Zonja e Vjetër.
Juventusi do të paguajë një shumë bazë prej 32 milionë euro, të shtrira në katër vite (nga 8 milionë euro për sezon). Kjo shumë i shtohet pagesës për huazimin e një sezoni më parë, 7 milionë euro fikse dhe 3 milionë bonuse – si dhe komisioneve për agjentin Jorge Mendes. Në total, operacioni pritet të arrijë në rreth 45 milionë euro.