Pas javësh të tëra spekulimesh dhe zërash rreth një largimi të mundshëm të Hakan Calhanoglu nga Interi, duket se telenovelës i ka ardhur fundi. Ka qenë vetë agjenti i futbollistit turk, Gordon Stipic, i cili ka hedhur dritë mbi të ardhmen e klientit të tij, duke konfirmuar se ai do të vazhdojë të luajë në Milano.
Në një intervistë të fundit, Stipic ka mohuar kategorikisht çdo negociatë konkrete me klubet turke, duke përmendur emrat e Fenerbahçe dhe Galatasaray, të cilat përfliteshin si destinacione të mundshme për mesfushorin.
“Nuk ka pasur asnjë ofertë nga Fenerbahçe dhe mund të konfirmoj se nuk ka pasur as edhe një takim me drejtuesit e Galatasaray. Ka pasur disa telefonata, por kjo është diçka normale gjatë merkatos. Ajo që mund t’ju them me siguri është se Hakan është i lumtur në Milano dhe nuk ka arsye për të ndryshuar skuadër”, deklaroi agjenti.
Ky qëndrim i qartë nga përfaqësuesi i Çalhanoglu i jep fund njëherë e mirë zërave që e lidhin mesfushorin me një rikthim në Turqi, duke konfirmuar se ai mbetet një element kyç në projektin e Interit për sezonin e ardhshëm.