Pas njoftimit zyrtar nga FIFA mbi vendimin disiplinor ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit për incidentet në ndeshjen Shqipëri–Serbi më 7 qershor në stadiumin “Air Albania”, nuk ka munguar reagimi i menjëhershëm nga grupimi “Tifozët Kuq e Zi” (TKZ), të cilët fajësojnë politikën e përjashtimit të tyre nga procesi i shpërndarjes së biletave për këtë situatë të rëndë.
Sipas vendimit të FIFA-s, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe me mbylljen e të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Letonisë. Dënimi vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë këngë me përmbajtje të papranueshme, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, gjeste fyese dhe ndërprerje gjatë himneve.
TKZ, përmes një reagimi të fortë, shprehet:
“Një herë vendosen ta eliminojnë TKZ-në nga shpërndarja e biletave dhe ja rezultati: 161.000 euro dënim. Ky dënim kaq i madh në vlerë monetare nuk ka ndodhur asnjëherë, as kur të gjitha tifogrupet kanë qenë në stadium prezent.”
Tifozët theksojnë se ky është rezultati i politikës së izolimit dhe “menaxhimit të kontrolluar” të tifozëve nga vetë FSHF-ja, duke përjashtuar nga tribuna ata që për vite me radhë kanë qenë zëri dhe zemra e mbështetjes për Kombëtaren në çdo cep të Europës.
FSHF, nga ana tjetër, përmes një deklarate zyrtare, ka shprehur keqardhje për vendimin dhe u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve të jenë të përgjegjshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën kuqezi.
Por sipas TKZ-së, vendimi i FIFA-s nuk është vetëm një penalizim financiar apo sportiv, por edhe një pasqyrë e qartë e marrëdhënies së acaruara mes FSHF-së dhe tifozëve më të devotshëm të Kombëtares.
Në përfundim, TKZ thekson se vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm me tifozët mund të garantohet një atmosferë e sigurt, e zjarrtë dhe dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.