Kancelari gjerman Friedrich Merz do të presë sot në mbrëmje presidentin francez Emmanuel Macron për një takim pune dhe darkë në Berlin.
Kjo do të jetë vizita e parë e Macron-it në Gjermani që kur qeveria e Merz-it mori detyrën më 6 maj.
Vetëm një ditë pas zgjedhjes së tij, Merz udhëtoi në Paris për të sinjalizuar një “fillim të ri” në marrëdhëniet franko-gjermane, të cilat ishin ftohur ndjeshëm gjatë mandatit të ish-kancelarit Olaf Scholz.
Tani, të dy liderët synojnë të thellojnë bashkëpunimin “në të gjitha nivelet”.
Temat kryesore të diskutimit përfshijnë përpjekjet për të forcuar pavarësinë e Evropës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diskutimet për një mburojë bërthamore evropiane, një koncept që ish – kancelari Scholz, thuhet se e kishte kundërshtuar me skepticizëm të madh.
Megjithatë, mes dy vendeve ekzistojnë ende mospajtime të rëndësishme. Parisi po insiston për një borxh të përbashkët evropian me qëllim forcuimin e industrinë së mbrojtjes, një propozim që Berlini e refuzon.
Franca gjithashtu mbështet përdorimin e energjisë bërthamore, ndërsa Gjermania e ka ndërprerë plotësisht atë.
Mospajtime ka edhe në zhvillimin e përbashkët të armëve. Në projektin FCAS, sistemi ajror i luftës i zhvilluar bashkë me Spanjën, të dy vendet ende kanë qëndrime të ndryshme mbi përfshirjen përkatëse në projekt.
Nga këndvështrimi francez, qëllimi i darkës së sotme është përgatitja për mbledhjen e Këshillit ministro-shtetëror franko-gjerman, që do të mbahet në Francë në fund të gushtit.
Në fokus do të jenë konkurrueshmëria evropiane, siguria dhe mbrojtja, si dhe reformat ekonomike dhe sociale.
Darka do të zhvillohet në Villa Borsig, një rezidencë buzë liqenit Tegel, që dikur i përkiste familjes industriale Borsig dhe që sot shërben si shtëpi pritjeje e Ministrisë së Jashtme gjermane.