Në horizontin e futbollit të Kosovës po ngjitet një yll i ri, i cili premton shumë për të ardhmen – Pashtrik Morina. I lindur më 9 shkurt 2008 në qytetin historik të Prizrenit.
Ky djalosh i talentuar ka filluar rrugëtimin e tij futbollistik që në moshë të vogël, duke shfaqur potencial të jashtëzakonshëm dhe një përkushtim që e dallon nga bashkëmoshatarët e tij.
Hapat e parë në botën e futbollit i mori te klubi lokal Winner, ku kaloi të gjitha grupmoshat, duke qenë kapiten dhe lider natyral në ekipet U11, U13 dhe U15.
Pashtrik Morina - IIlr Nallbani
Që në atë periudhë, trajnerët dhe njohësit e futbollit vunë re karakterin e tij të fortë, disiplinën dhe aftësitë teknike mbi mesataren.
Performancat e tij mbresëlënëse nuk vonuan të shpërblehen.
Trajneri Ilir Nallbani i dha besimin duke e ftuar në përfaqësuesen e Kosovës U15, ku Pashtriku u bë menjëherë pjesë e formacionit bazë. Ai zhvilloi disa ndeshje të shkëlqyera në nivel ndërkombëtar, duke treguar pjekuri në lojë dhe vizion që zakonisht shihet te lojtarë më të rritur.
Karriera e tij përfaqësuese vazhdoi me sukses edhe në nivelin U16, kësaj radhe nën drejtimin e trajnerit Mehmed Kurda. Me këtë grupmoshë, Morina ishte pjesë e një turneu të organizuar nga UEFA, ku Kosova doli fituese – një tjetër dëshmi e cilësive të tij dhe kontributit të jashtëzakonshëm që ai jep në fushë.
Ky progres nuk kaloi pa u vërejtur jashtë kufijve të Kosovës. Skuadra gjermane Borussia Mönchengladbach, një emër i madh në futbollin evropian, e ftoi në prova, duke treguar interes të vazhdueshëm për zhvillimin dhe të ardhmen e tij. Prania e klubeve të tilla në jetën e një futbollisti të ri është tregues i madh i vlerësimit dhe potencialit të tij.
Në nivel klubi, për dy edicione rresht, Pashtrik Morina ishte titullar i padiskutueshëm te KF Ballkani në Superligën U17. Me paraqitjet e tij të sigurta, vendosmërinë në lojë dhe lidershipin në mbrojtje, ai u kthye në një prej shtyllave kryesore të ekipit – një lojtar që çdo trajner do të donte ta kishte në formacionin e tij.
Duke kërkuar një hap tjetër në zhvillimin e karrierës, Morina u përfol për transferim në disa klube, përfshirë Liria, Prizrenin dhe Suharekën.
Megjithatë, ishte interesimi i vazhdueshëm i FC Prishtina që u konkretizua me marrëveshjen zyrtare.
Tashmë, ai është pjesë e klubit më të madh dhe më me traditë në vend, ku do të ketë mundësinë të zhvillohet edhe më shumë, në një ambient profesional dhe konkurrues.
Pashtrik Morina – një emër që me siguri do të dëgjohet edhe më shumë në të ardhmen.
Nëse vazhdon me këtë ritëm dhe përkushtim, nuk ka dyshim që futbolli ynër do të ketë një pasuri të çmuar në radhët e tij.