Barcelona ka anuluar ndeshjen miqësore parasezonale kundër Vissel Kobe në Japoni, duke përmendur shkelje kontraktuale nga organizatori, ndërsa dy miqësoret e tyre të planifikuara në Korenë e Jugut janë gjithashtu në rrezik pezullimi, tha klubi.
Kampionët e LaLiga-s ishin planifikuar të luanin kundër ekipit japonez Vissel Kobe të dielën, dhe kundër FC Seoul të Koresë së Jugut më 31 korrik dhe Daegu FC më 4 gusht .
“Barcelona njofton se është detyruar të pezullojë pjesëmarrjen e saj në ndeshjen e planifikuar për të dielën e ardhshme në Japoni për shkak të shkeljeve serioze kontraktuale nga ana e organizatorit”, tha Barca në një deklaratë të mërkurën.
“Megjithatë, klubi do të shqyrtojë ripërshtatjen e pjesës së turneut veror në Korenë e Jugut”, tha ai, “nëse përmbushen kushte të caktuara nga organizatori”.
"Nëse këto kushte plotësohen, atëherë klubi do të udhëtojë për në Korenë e Jugut në ditët në vijim. Barcelona shpreh keqardhje për këtë incident dhe ndikimin që do të ketë tek shumë, shumë tifozë të Barçës në Japoni."
Në një deklaratë të enjten, Vissel Kobe u kërkoi falje tifozëve.
"Kërkojmë ndjesë sinqerisht për çdo shqetësim që kjo mund tu shkaktojë shumë tifozëve dhe palëve të lidhura që mezi prisnin këtë ndeshje", tha klubi i J1 League.
"Klubi ynë po punon në bashkëpunim me palët përkatëse për të mbledhur informacionin e nevojshëm dhe për të marrë masat e duhura."
Barcelona nuk e identifikoi organizatorin në deklaratën e saj, por kur turneu u njoftua për herë të parë, e kishte emëruar atë si Grupi YASUDA.