Përplasje me një tifoz

- Bota Sot

Përplasje me një tifoz

Mbrëmje e vështirë për Neymarin dhe Santosin, i cili u mposht në shtëpi 2-1 nga Internacional i Porto Alegres.

Një disfatë që e mban skuadrën në zonën e rënies nga kategoria dhe shkaktoi tension të madh. Në fund të ndeshjes, braziliani 33-vjeçar u përfshi në përplasje verbale të fortë me një tifoz në tribunë, pasi kishte shfaqur shenja nervozizmi edhe gjatë lojës.

Ngjarja ndodhi menjëherë pas vërshëllimës së fundit. Neymar iu drejtua tribunës së ulët për t’u përballur me një tifoz veçanërisht kritik. Situata u tensionua aq shumë sa ndërhyri portieri Joao Paulo, i cili u përpoq të qetësonte gjakrat dhe ta largonte ish-yllin e Barcelonës nga përplasja.

Episodi ndodhi pak minuta pas një tjetër momenti të fortë simbolik. I bindur se kishte shënuar golin e barazimit, Neymar shpërtheu në festë të vrullshme, madje duke thyer edhe shtyllën e flamurit të këndit me një goditje.

Sidoqoftë topi, i ndalur nga portieri Rochet, nuk e kishte kaluar plotësisht vijën fatale. Një fakt që u konfirmua nga VAR-i, pra nuk ishte gol.

Të paktën në aspektin fizik, vijnë lajme pozitive: numri 10 ka luajtur tri ndeshje radhazi të plota, diçka e rrallë për të vitet e fundit. Nga ana mentale, duket se Neymar ka ende shumë për të rregulluar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot