Zejnullai rikthehet pas katër viteve dhe asiston në testin ndaj Rabotniçkit

- Bota Sot

Zejnullai rikthehet pas katër viteve dhe asiston në testin ndaj Rabotniçkit

Emocione dhe asist në debutimin e dytë me kuqezinjtë për Arbin Zejnullain, i kthyer në taborin kuqezi një javë më parë. 

Arbin Zejnullai ka regjistruar paraqitjen e tij të parë me fanellën e Shkëndijës së Tetovës pas rikthimit te klubi ku u rrit si futbollist. I kthyer në taborin kuqezi saktësisht një javë më parë, mesfushori 26-vjeçar ishte pjesë e bankinës të martën në mbrëmje kundër Steauas në Ligën e Kampionëve, por nuk u aktivizua.

Megjithatë, ai u rikthye zyrtarisht në fushë me fanellën e Shkëndijës këtë të mërkurë, në ndeshjen kontrolluese ndaj Rabotniçkit (3:1), ku u inkuadrua në minutën e 65-të dhe dha asistin për golin e tretë të kuqezinjëve.

“Emocione të veçanta për mua. Pas kaq vitesh, të vesh përsëri fanellën kuqezi është ndjesi shumë e bukur. E kam ndjekur ekipin, e kam dashur gjithmonë këtë klub dhe tani dua të jap më të mirën në fushë. Kam punuar individualisht, por stërvitja me grup është tjetër gjë. Me kalimin e kohës do të arrij formën optimale,” shprehet Zejnullai. 

Lidhur me fitoren (1:0) ndaj kampionëve të Rumanisë, FCSB-së, mesfushori shtoi:

“Një fitore e madhe. Djemtë bënë një paraqitje heroike. Mendoj se e merituam fitoren, edhe pse FCSB pati rastet e veta. Në fund ndoshta mund të kishim fituar edhe më bindshëm. Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, por besoj se do të japim maksimumin për të kërkuar kualifikimin”, përfundoi Zejnullai. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot