Sulmuesi suedez, Alexander Isak, ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga Newcastle United gjatë kësaj vere, duke shkaktuar jo pak shqetësim në radhët e klubit anglez.
Sipas mediumit britanik Mail Sport, Isak ka njoftuar drejtuesit e klubit se dëshiron të eksplorojë mundësinë e një transferimi të ri para nisjes së sezonit të ri, duke thelluar spekulimet për të ardhmen e tij.
Kjo kërkesë vjen në kohën kur sulmuesi 25-vjeçar nuk është përfshirë fare në listën e lojtarëve për turneun parasezonal të skuadrës në Azi.
Zyrtarisht, mungesa e tij është arsyetuar me një problem muskulor në kofshë, por raportimet nga Anglia sugjerojnë se vendimi për të mos udhëtuar me skuadrën lidhet drejtpërdrejt me situatën e paqartë për të ardhmen e tij. Po ashtu, Isak është parë duke u stërvitur individualisht gjatë ditëve të fundit, një tjetër tregues i tensioneve në rritje brenda klubit.
Forma e jashtëzakonshme e Isak gjatë sezonit të kaluar – me 27 gola në 42 paraqitje në të gjitha garat – ka zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane. Liverpool kishte bërë një ofertë prej 125 milionë funte për shërbimet e tij në fillim të këtij muaji, por ajo ishte refuzuar nga Newcastle.
Megjithatë, pasi dështoi të transferojë suedezin, Liverpool kaloi te alternativa tjetër Hugo Ekitike, i cili është prezantuar zyrtarisht si lojtar i ri i “The Reds” ditë më parë. Me shpenzimet e kësaj vere që tashmë kanë kaluar shifrën prej 300 milionë funtesh, klubi nga ‘Anfield’ nuk pritet të rikthehet me një ofertë tjetër për Isak.
Në anën tjetër, Newcastle nuk ka ndonjë nxitim për të shitur sulmuesin, pasi ai ka ende tre vite kontratë me klubin, çka i jep skuadrës një pozitë të fortë negociuese. Megjithatë, sinjalet nga lojtari janë të qarta: ai nuk e sheh më të ardhmen e tij në “St. James Park” dhe është i vendosur të mos luajë nën urdhrat e trajnerit Eddie Howe.