Rodri ka mbyllur sezonin në formën më të mirë të mundshme, duke rikuperuar plotësisht pas dëmtimit në ligamentin e gjurit që e mbajti jashtë për një pjesë të madhe të vitit. Me rikthimin në fushë, mesfushori spanjoll është kthyer menjëherë në shtyllën e mesfushës së Manchester City, nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Megjithatë, sipas “The Sun”, klubi i Real Madrid, tani i drejtuar nga Xabi Alonso, është gati të bëjë një ofertë marramendëse prej 115 milionë eurosh për ta sjellë Rodrin në “Santiago Bernabéu”.
Kontrata e mesfushorit me City-n është e vlefshme deri në verën e vitit 2027, dhe aktualisht nuk ka negociata për rinovim.
Kjo situatë i ka dhënë shpresë Realit që të veprojë në mënyrë të shpejtë për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit.
Në Madrid, Rodri shihet si pasardhësi ideal i tandemës legjendare Toni Kroos–Luka Modric, dhe në “Los Blancos” mendojnë se ai ka potencialin për të fituar edhe Topin e Artë, pas paraqitjeve mbresëlënëse që ka pasur si lider i padiskutueshëm në mesfushë.
Nëse operacioni finalizohet, do të ishte një tjetër goditje e madhe në merkato për Real Madridin dhe një sfidë e re për Rodrin në vendlindjen e tij.