Vllaznia do të jetë sërish në fushë ditën e enjte dhe do të luajë për raundin e dytë të Conference Legaue, ku shkodranët do të presin fillimisht Vikingur në “Loro Boriçi” dhe pas një jave do t’u kthejnë vizitën ishullorëve skandinavë.
Kuqeblutë u kualifikuan në raundin e dytë falë eliminimit me përmbysje që i bënë skuadrës nga Letonia të Daugavpils, dhe tashmë synimet janë për të bërë pse jo një surprizë.
Siç thuhet “oreksi vjen duke ngrënë”, edhe te shkodranët duket se janë më të motivuar se kurrë për të tentuar një kualifikim në turin e tretë të Conference League, që do të ishte historik për 9 herë kampionët e vendit tanë.
Kështu, në klub duan të synojnë deri në minutën e fundit kalimin e raundit, pavarësisht se asgjë nuk është e përcaktuar në “kufijtë” e një objektivi. Dhe çdo rezultat do të jetë i pranueshëm në fund, duke shmangur kështu presionin mbi skuadrën.
Por, pavarësisht kësaj, gazeta mëson në burime pranë ambientit kuqeblu se presidenca e skuadrës, me Alban Xhaferrin në krye ka vendosur një premio për futbollistët në rast kalimi të turit. Shifra mendohet se i kalon 50 mijë euro, me të cilat mund të shpërblehen ekstra lojtarët dhe stafi i ekipit në rast se mposhtin Vikingur dhe kalojnë në turin e tretë të Conference League. Patjetër, kjo është një lëvizje për të motivuar edhe më shumë futbollistët, në një duel që parashikohet të jetë shumë i vështirë për ta