Liverpool tani do goditjen e madhe

- Bota Sot

Liverpool tani do goditjen e madhe

Pavarësisht transferimit të Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt, Liverpooli vazhdon të kërkojë përforcime cilësore për repartin ofensiv dhe një nga emrat që mbetet fort në radarin e “The Reds” është Alexander Isak. Sulmuesi suedez, i cili shënoi 27 gola sezonin e kaluar, është vënë në qendër të vëmendjes pas mungesës së tij në turneun parasezonal të Newcastle United në Azi.

Klubi anglez raportoi një shqetësim në kofshë si arsye zyrtare për mungesën e tij, por prapa skenave, duket se situata është më e komplikuar. Isak nuk u përfshi në skuadrën që udhëtoi për t’u përballur me Arsenalin, Tottenhamin dhe ekipin All-Star të K-League, gjë që ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.

Liverpooli ka bërë një lëvizje të parë joformale javën e kaluar dhe po e ndjek nga afër situatën, duke shpresuar që ajo të zhvillohet në favorin e tyre

Megjithatë, Newcastle United mbetet i vendosur: Isak nuk është në shitje. “Magpies” e vlerësojnë sulmuesin me 165 milionë euro dhe theksojnë se kanë avantazhin, pasi lojtari ka edhe tri vite të mbetura në kontratë. Bisedimet për një rinovim të mundshëm kanë ngecur, çka e ka përkeqësuar edhe më tej situatën.

Sipas “Sky Sports”, nuk është bërë ende asnjë kërkesë zyrtare për transferim nga ana e Isakut, por raportohet se ai është i zhgënjyer që Newcastle nuk i dha mundësinë të bisedonte me Liverpoolin më herët gjatë verës.

Trajneri Arne Slot po ndërton një skuadër konkurruese, me synimin për të rikthyer Ligën e Kampionëve në “Anfield” dhe për të luftuar për titullin në Ligën Premier. Nënshkrimi i Alexander Isak, pas Ekitike, do të ishte një deklaratë e qartë e ambicieve të Liverpoolit në këtë merkato.

Newcastle po shqyrton një mundësi për të nënshkruar me Benjamin Sesko në rast se Alexander Isak largohet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot